Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Zhymë të Lushnjës, ku një 45-vjeçar, i dyshuar me probleme të shëndetit mendor, ka vrarë të ëmën dhe ka plagosur rëndë të atin e tij me sqepar.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se autori i krimit është 45-vjeçari Florion Dalladaku, viktima është 80-vjeçarja Fanije Dalladaku, ndërsa i plagosuri, 77-vjeçari Hasan Dalladaku.

Menjëherë pas ngjarjes, 45-vjeçari është larguar në drejtim të paditur. Ndërkohë Policia u vu në ndjekje të tij dhe pas disa minutash kontrolle në të gjithë zonën, arriti që ta arrestojë në fshatin Grecalli të Fierit.

Njoftimi i Policisë:

Lushnjë/Informacion paraprak-Rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë, Lushnjë, shtetasi F. D., 45 vjeç, dyshohet se, në banesë, për motive ende të paqarta, ka goditur me një send metalik prerës (sqepar) nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, e cila, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë babain e tij, shtetasin H. D., 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Shtetasi F. D., i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga banesa pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë