Një efektiv ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm, gjatë një operacioni policor në Zhur të Prizrenit.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes së kësaj të marte, ndërkaq nga shpërthimi ka mbetur i plagosur edhe një fëmijë, pjestar i familjes në të cilën policia po kryente bastisjen.
“Mund të konfirmojmë se sot 28.01.2020 në orët e mbrëmjes gjatë një operacioni policor në fshatin Zhur të Prizrenit, dyshohet se ka ndodhur një shpërthim ku si pasojë e këtij shpërthimi ende të pa identifikuar kanë pësuar lëndime tre zyrtarë policorë dhe një qytetar. Si pasojë e plagëve të pësuara dyshohet se njëri nga zyrtarët policor të ketë ndërruar jetë’, ka thënë Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
Nuk bëhet i ditur identiteti i efektivit që humbi jetën në operacion, ndërsa mediat kosovare raportojnë se gjendja shëndetësore e dy efektivëve të tjerë të plagosur është e rëndë.
Arsyeja e bastisjes së shtëpisë, sipas Osmanollaj ishte për “Parandalimin dhe zbulimin e Narkotikëve”. Policia po heton më tej rastin, për të zbuluar rrethanat.