Një tjetër femër ka rënë viktimë e dhunës në familje në qytetin e Durrësit mbrëmjen e sotme. Një 42-vjeçare me inicialet E.H. është dhunuar rëndë nga bashkëshorti i saj A.H.,50 vjeç, duke përfunduar në spital. Burime për Report Tv bëjnë me dije se, 50-vjeçari ka ushtruar dhunë mbi bashkëshorten derisa ajo ka humbur ndjenjat. 

Menjëherë pas aktit të rëndë, duke menduar se 42-vjeçarja ka ndërruar jetë, A.H. ka tentuar t’i jap fund jetës duke u vetëvarur, por është shpëtuar në kohë nga policia dhe më pas shoqëruar në Komisariatin e Durrësit për sqarime të mëtejshme. Ndërkohë, 42-vjeçarja ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Durrës/ Informacion paraprak i policisë:

Më datë 06.03.2020, rreth orës 22:15, në lagjen nr.13, Durrës, shtetasi A.H.,50 vjeç, ka ushtruar dhunë ndaj  bashkëshortes së  tij, shtetases E.H.,42 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Më pas shtetasi A.H., ka tentuar të vetëvaret, por është shpëtuar në kohë  nga forcat e policisë të cilët më pas e kanë  shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Durrës për veprime të mëtejshme.