Zbardhen komunikimet e fundit mes kontrollorëve të kullës dhe pilotëve të helikopterit ushtarak e avionit të pasagjerëve, pak sekonda para përplasjes mes dy mjeteve fluturuese, që ka shkaktuar një tragjedi ajrore në aeroportin “Ronald Reagan” të Uashingtonit ditën e sotme (30 janar).
Para se avioni i American Airlines të përplasej dhe të binte në lumin Potomac duke u ndarë në dy pjesë mes flakëve, u regjistruan edhe bisedat audio nga komunikimet mes kontrollorëve të trafikut ajror, pilotëve dhe ekipeve të shpëtimit.
Në audion e transmetuar nga CNN, një kontrollor i trafikut ajror mund të dëgjohet duke pyetur operatorin e helikopterit nëse ai mund ta shohë avionin e pasagjerëve.

“PAT 2-5 e shihni CRJ përballë jush? PAT 2-5 kalon pas CRJ", thotë kontrollori, i ndjekur menjëherë nga një fjalim i paqartë dhe një "Uhhh" me zë të lartë dhe një tjetër ”O Zot...”, ndoshta në momentin e përplasjes së avionit me helikopterin.
Lëvizja tjetër e kullës së kontrollit ishte të informonte pilotin për një tjetër fluturim për atë që kishte ndodhur:
“Nuk e di nëse keni dëgjuar, por ka pasur një përplasje në fund të pistës 3-3. Do të jemi të mbyllur për një periudhë të panjohur”, komunikon kulla.
"Po, ne ishim afër aeroportit dhe pamë shkëndija nga përtej Potomac", tha një tjetër pilot.
Lajmi kryesor:
SHBA/ Avioni me 64 pasagjerë në bord përplaset me një helikopter ushtarak, gjenden trupat e 30 viktimave (FOTO+VIDEO)
A.Q/SI.E./Shqiptarja.com

