Madridi është akoma në gjendje të alarmuar mbi përhapjen e virusit pas verifikimit të rastit të parë. Shtatë persona janë shtruar në spital të dyshuar si persona të infektuar nga virusi i Ebolas. Mes tyre ndodhet dhe një infermiere, e vetmja nga grupi mjekësor e verifikuar për mbartjen e Ebolës.

Tre të shtruarit e fundit në spitalin e Madridit janë dy mjekë dhe një infermiere, të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin e infektuar. Ky i fundit kishte marrë pjesë në një mision fetar bashkë me dy spanjoll të tjerë në Afrikë, të cilët gjithashtu kanë gjetur vdekjen nga EBOLA që në muajin gusht.

Për shkak se pjestarët e tjerë të spitalit kanë shfaqur shenja të njëjta me simptomat e sëmundjes ata po i nënshtrohen analizave që do të verifikojnë infektimin apo jo të tyre, nga virusi vdekjeprurës.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Dallas është zbuluar rasti i dytë i infektimit nga Ebola. Pacienti i shtruar për shkak të simptomave të njëjta që paraqet Ebola, pranon se më parë ka patur kontakt me pacientin e vdekur gjatë ditës së djeshme.

Ekspertët shpjegojnë se duhen të paktën 3 javë që të shfaqen simptomat e Ebolës, pikë në të cilën sëmundja bëhet edhe ngjitëse. Njerëzit po përballen me shpërthimin më të keq të këtij virusi, që kur filloi në muajin mars, duke bërë që rreth 3879 persona të humbin jetën deri më tani.



Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)