DURRES- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, ne ambientet e muzeut Etnografik t u mbajt mbrëmja artistike “Echos - Jehonat e Kohës”.

Nën interpretimin e Orkestrës së Harqeve Durrës dhe dirigjimin e Gridi Krajës, publiku ndoqi një koncert me pjesë të zgjedhura nga kompozitorë shqiptarë e të huaj.

Atmosfera e muzikës së dhomës krijoi një dialog të veçantë mes historisë dhe artit, duke sjellë tinguj elegantë dhe harmoni të rafinuar në hapësirat e muzeut.

Drejtoresha e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Alketa Tragaj, u shpreh se aktivitete të tilla synojnë ta kthejnë muzeun në një hapësirë, ku trashëgimia historike ndërthuret me artin bashkëkohor.

Pjesë e mbrëmjes ishte dhe sopranoja Kiara Juba, e cila vlerësoi afërsinë që krijohet me publikun në koncerte të tilla.Përmes interpretimit artistik, aktorja Mimoza Marjanaku solli një tjetër dimension të mbrëmjes, duke ndërthurur poezinë me muzikën. Ndërsa violonçelistja Rajmonda Konçi Reçi theksoi rëndësinë e muzikës së dhomës si një formë artistike që kërkon ndjeshmëri dhe komunikim të fortë mes artistëve dhe publikut.

Në hapësirën ku ruhen gjurmët e traditës dhe kujtesës qytetare, koncerti solli për publikun një mbrëmje kulturore që i dha jetë së kaluarës, përmes muzikës klasike.