Ka mbetur shumë pak nga momenti kur nis kompeticioni më madhështor i lojës më të dashur në botë, Botërori i futbollit, që këtë herë vjen me përmasat më gjigande në histori. Asnjë kupë bote nuk është zhvilluar në 3 vende, siç do të jetë nga 11 qershor në SHBA-Kanada dhe Meksikë. Për herë të parë 48 vende pjesëmarrëse  dhe 104 ndeshje.

Detaje të cilat do ta bëjnë Botërorin e kësaj vere më fitimprurësin në histori, por në të njëjtin kohë më polemizuesin, pasi tifozët janë të irrituar me kostot, duke nisur nga biletat e stadiumeve, kostot udhëtimeve, qëndrimin në vendet organizatore dhe shumë detaje të kësaj natyre. Detaje të tjera që shqetësojnë janë siguria, moti ekstrem, ndikimi i gjeopolitikës, por edhe roli i presidentit të SHBA-ve Donald Trump, që ngjall ankth dhe entuziazëm.

Kjo do të jetë hera e parë gjithashtu që vendi pritës, në këtë rast Amerika, është në luftë me një komb pjesëmarrës Iranin. Disa pjesëtarëve në kombëtares iraniane i janë mohuar vizat, ndërsa qëndrimi i tyre është spostuar nga Arizona në Meksikë. Madje një zyrtar ka deklaruar se përfaqësuesja e Iranit do të lejohet vetëm ditën e ndeshjes në SHBA dhe më pas duhet të kthehet në Meksikë.

FIFA-n që pritet të fitojë një rekord prej 9 miliardë dollarësh për këtë Botëror, teksa 2.7 miliardë do tu shpërndahen federatave për 4 vitet e ardhshme. Megjithatë mënyra se si do gjenerohen këto para ka ngritur shumë shqetësime, ndërsa besohet se situata do të ndihmojë Infantino-n të rizgjidhet në krye të FIFA-s. Në 2018 u tha se bileta e finales do të kushtonte maksimumi 1.550 dollarë, ndërsa kur dolën në shitje më e shtrenjta ishte 8.680 dollarë. Kjo ka bërë që muajin e kaluar prokurorët e New York dhe Neë Yersey-t të nisin hetimet për FIFA-n, duke e akuzuar për "fryrje artificiale të çmimeve" dhe "mashtrim të tifozëve" mbi shitjet e biletave.

Për t’u theksuar se FIFA pati një përplasje të ashpër me shoqatën e tifozëve, pasi fillimisht vendosi të mos lejoheshin shishet e ujit në stadiume. Po për shkak të nxehtësisë së madhe dhe protestave ky vendim u zhbë. Turneu do të jetë gjithashtu më dëmtuesi në histori ndaj klimës, pasi zgjerimi me 48 kombëtare pjesëmarrëse do të shtojë udhëtimet, ndërsa aviacioni përbën 80-90% të gjurmës së tij të karbonit.

Rrufetë janë gjithashtu shqetësuese në Amerikë, pasi ligji atje kërkon që nëse bien 13 kilometra larg stadiumit ndeshja ndërpritet për 30 minuta. Nëse gjatë kësaj kohe bie një tjetër atëherë 30 minutat nisin nga fillimi. Kjo pritet të sjellë ndërprerje të gjata të ndeshjeve, siç ndodhi edhe në rastin e Botërorit të Klubeve vitin e kaluar.