TIRANE- Të gjitha zhvillimet e fundit politike në qytetin e Durrësit tregojnë se çamët e PDIU dhe jo vetën kanë nisur aksionin për bashkimin me forcat e koalicionit të majtë. Në një linjë me ta duken se janë bashkuar edhe demokristianët e Nard Ndokës. Votimet e fundit nëpër bashki dhe komuna për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj për Këshillin Qarkut treguan se partitë e vogla ju bashkuan homologëve të tyre të PS dhe LSI duke lënë në minorancë këshilltarët e djathtë. Por, deri tani këto lëvizje në dukje janë bërë sikur të ishin spontane nga individë të caktuar dhe nuk ka pasur vendime nga lart për to. Por, të gjitha analizat tregojnë se ka pasur indicie nga qarqet që i drejtojnë këto forca për tu bashkuar me koalicionin e majtë. Në bazë të këtij bashkëpunimi u bë e mundur marrja e këshillit të qarkut të Durrësit nga forcat e majta kur në letër dukej se e djathta kishte maxhorancën.

Zhvillimet
Edhe pse nuk është zyrtarizuar ndonjë marrëveshje mes forcave të majta në mazhorancë me PDIU-n e Shpëtim Idruzit dhe me forca të tjera të vogla që momentalisht gjenden në koalicionin e djathtë, zhvillimet në Durrës tregojnë se këto forca po tentojnë të bashkohen me të majtën në pushtet. Dy prej eksponentëve të PDIU në Durrës, Petrit Çerçizi dhe Indrit Hamiti deklarojnë se zyrtarisht nuk kanë ndonjë njoftim për aleancë me të majtën por gjasat tregojnë se dicka po ngjet. Çerçizi thotë se "kemi marrë informacione jo zyrtare se krerët në Tiranë po afrohen me njëri tjetrin. U fol se nuk do të largohen nga postet drejtuese çamët e PDIU-s, por tashmë ne jemi larguar nga detyrat. Unë isha Drejtor i Rezervave të Shtetit por u bë kohë që u pushova nga ajo detyrë. Sidoqoftë zërat që qarkullojnë nuk janë pa gjë". Po kështu edhe Indrit Hamiti,i cili deri para pak javësh mbante detyrën e kreut të këshillit bashkiak në Durrës si përfaqësues i PD është rreshtuar tashmë me PDIU.

Lidhur me një aleancë të mundëshme të kësaj force me koalicionin e majtë ai thotë se: “nuk kemi marrë në duar ndonjë dokument ku të bëhet i ditur një koalicion i tillë por të them të drejtën kemi dëgjuar zëra për një afrim të tillë. Sidoqoftë tashmë njerzit tanë janë larguar nga postet që mbanin më parë. Zërat më media nuk janë pa gjë”. Në fakt camët kanë kohë që po bashkëpunojnë me të majtën. Ata dhanë një ndihmë të dorës së parë në votimin për zgjedhjen e kryetarit të këshillit të qarkut Durrës. Raporti i forcave në këtë këshill përpara votimit ishte 23 me 23 për shkak se një anëtar ka kohë që mungon për shkaqe objektive. Pas votimit rezultati doli 26 me 20 për të majtët. Më pas u mësua se ishin dy anëtarë të PDIU-s që bashkuan votat me të majtët ndërsa votuesi i tretë ishte përfaqësues i demokristianëve i Nard Ndokës. Këto kalime kanë bërë që balancat politike edhe në pushtetin vendor të kalojnë nga e majta pasi deri në muajin tetor i mbanin të djathtët.
 
Idrizi pritet të bashkohet me mazhorancën sociaslite
PDIU duket se po shkon drejt bashkimit me mazhorancën e majtë. Që pas zgjedhjeve të 23 qershorit ka pasur fjalë se kjo gjë është shumë e mundshme që të ndodhë dhe sipas “Shqiptarja.com”, tashmë ka një projekt për kalimin e PDIU në mazhorancë. Mësohet nga PDIU se arsyeja që e mban pezull deri në këto momente një kalim total të pesë deputetëve të PDIU-s, janë një sërë zhvillimesh që po priten.
 
Nard Ndoka, një deputet që mund ti bashkohet PS-LSI
Deputeti Nard Ndoka është një prej parlamentarëve që është diskutuar se mund t’i largohet opozitës, Partisë Demokratike. Si i pavarur që është Ndoka mund ta ketë shumë më të lehtë lëvizjen drejt mazhorancës socialiste. Megjithatë, shpesh herë Ndoka e ka refuzuar të pranojë një lajm të tillë, por qëndrimet e tij shpesh kanë qenë të ndryshme duke përkrahur PD dhe PS.
 
Muhedini: Kauza e PDIU për çështjen çame fitohet duke qenë në mazhorancë

Çështja çame është prioriteti i PDIU-s. Kauza do të fitohet duke u rreshtuar në mazhorancë. Kjo është deklarata e deputetit Tahir Muhedini, që me sa duket po projekton pozicionimin e ri të kësaj force politike. Sinjale për kalimin nga opozita në mazhorancë, marrëdhënia  e fundit ishte bashkimi i votave me të majtën në mbledhjen e Këshillit bashkiak të kryeqytetit. Mazhoranca, aktualisht gëzon mbështetjen e 85 deputetëve. Me afrimin e mundshëm të PDIU-së, shumica parlamentare do të shkonte në 90 dhe ky numur do të bënte të mundur edhe ndryshimet në Kushtetutë, për të cilat po flasin Meta- Rama që duket se po marrin edhe miratimin e presidentit.

Shkrimi u publikua sot (23.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)