Brenda administratës së presidentit amerikan Donald Trump po shtohen rezervat për mënyrën se si po zhvillohet lufta me Iranin. Sipas një raportimi të CNN, gjenerali më i lartë i ushtrisë amerikane, Dan Caine, u ka bërë të qartë privatisht zyrtarëve të lartë të administratës se Shtetet e Bashkuara duhet të gjejnë një mënyrë për të dalë nga konflikti, pasi bombardimet ajrore nuk ka gjasa të arrijnë objektivat që ka shpallur Trump.
Caine, i cili drejton Shtabin e Përbashkët të Ushtrisë amerikane dhe është këshilltari kryesor ushtarak i presidentit, ka diskutuar shqetësimet e tij me drejtorin e CIA-s John Ratcliffe, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe zëvendëspresidentin JD Vance. Sipas burimeve të CNN, qëllimi i këtyre bisedimeve ka qenë që zyrtarët të kenë një qëndrim të përbashkët përpara takimeve me Trump dhe t'i shpjegojnë atij kufijtë e opsioneve ushtarake që ka në dispozicion.
Një nga burimet e cituara nga televizioni amerikan e përmbledh qëndrimin e gjeneralit me një fjali: "Caine po kërkon një rrugëdalje nga lufta."
Trump ka deklaruar vazhdimisht se nuk dëshiron të dërgojë trupa amerikane në Iran. Strategjia e tij ka qenë të ushtrojë presion mbi Teheranin përmes bombardimeve ajrore, me shpresën se Irani do të pranojë kushtet e vendosura nga SHBA. Megjithatë, sipas CNN, Caine dhe disa zyrtarë të tjerë të administratës nuk besojnë se kjo strategji do të funksionojë.
Gjatë një seance dëgjimore në Kongres muajin e kaluar, vetë Caine tha publikisht se "edhe fuqia ajrore ka kufijtë e saj", një deklaratë që, sipas burimeve, pasqyron edhe atë që ai ka thënë në takimet me presidentin.
Në fund të korrikut, Trump shqyrtoi mundësinë e një vale të re sulmesh shumë më të ashpra ndaj Iranit. Sipas CNN, disa drejtues ushtarakë dhe civilë u shprehën kundër këtij plani, pasi druheshin se një përshkallëzim i konfliktit do të sillte kundërpërgjigje të forta nga Irani dhe do të rrezikonte infrastrukturën energjetike të vendeve aleate të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan vendosi të mos e miratojë atë operacion, pasi zhvilloi bisedime me aleatë të rajonit, të cilët shprehën shqetësimin për pasojat e mundshme. Një tjetër faktor, sipas CNN, ishte edhe pakësimi i rezervave amerikane të raketave dhe municioneve, një çështje që është ngritur disa herë nga drejtuesit ushtarakë.
Sipas burimeve, Pentagoni është gjithashtu skeptik se sulmet ndaj objekteve energjetike iraniane do ta detyronin Teheranin të dorëzohej. Përkundrazi, ato mund të nxisnin sulme hakmarrëse ndaj infrastrukturës energjetike të vendeve të Gjirit Persik dhe të përshkallëzonin më tej konfliktin.
Edhe ide të tjera, si goditja e urave apo objekteve të tjera strategjike, nuk konsiderohen zgjidhje efektive. Burimet e CNN thonë se objektivat ushtarake iraniane janë shpërndarë dhe zhvendosen vazhdimisht, çka e bën të vështirë arritjen e një rezultati vendimtar vetëm përmes bombardimeve.
Sipas raportimit, Caine ka paralajmëruar gjithashtu se një luftë e zgjatur po konsumon rezervat amerikane të armëve, përfshirë ato që përdoren edhe për mbështetjen e Izraelit dhe Ukrainës. Disa komandantë amerikanë i kanë cilësuar këto rezerva si "në nivele të rrezikshme", duke detyruar Pentagonin të rishikojë strategjinë ushtarake.
Megjithatë, gjenerali i ka bërë të qartë Trumpit se ushtria amerikane është në gjendje t'i shkaktojë dëme të mëdha Iranit, nëse presidenti vendos të japë urdhrin për një operacion të ri. Por, sipas burimeve, ai vazhdon të këmbëngulë se bombardimet, të vetme, nuk do të mjaftojnë për të arritur objektivat politike të SHBA-së.
CNN shkruan se shumica e zyrtarëve amerikanë bien dakord se mënyra e vetme për të mposhtur ushtarakisht Iranin do të ishte një operacion i madh tokësor me mijëra ushtarë amerikanë, një skenar që administrata Trump nuk e mbështet për shkak të kostos së lartë në jetë njerëzore dhe rreziqeve politike.











Komente
Komento