Edhe nëse ka dialog, nuk ka pritje për rezultat

Edhe nëse ka dialog, nuk ka pritje për rezultat

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Këmbëngulja e Bashkimit Evropian mund të çojë në një rund të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por analistët e çështjeve politike, Arton Demhasaj dhe Dushan Janjiq, dyshojnë se ai do të sillte ndonjë rezultat pozitiv.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, la të kuptohet se këtë javw mund tw vizitojw Prishtinwn për, siç tha, përgatitjen e rundit të ri të bisedimeve në nivel kryenegociatorësh.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës rreth këtij paralajmërimi dhe marrjes së ndonjë ftese nga BE-ja për ndonjë takim eventual, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk u përgjigj.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, u takuan për herë të fundit në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.

Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thotë se insistimi i BE-së për një rund të ri të dialogut Kosovë-Serbi do të jetë i pafrytshëm, derisa palët ta shmangin zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

E njohur si Marrëveshja e Ohrit, ajo është arritur para më shumë se një viti, por asnjë pikë e saj nuk është zbatuar dhe për këtë palët fajësojnë vazhdimisht njëra-tjetrën.

Për më tepër, shton Demhasaj, Kosova ka caktuar 9 shkurtin e vitit të ardhshëm si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe, sipas tij, vendi është tashmë në para-fushatë zgjedhore.

“Është naive të presësh - sidomos në rastin e Kosovës - që mund të ketë ndonjë lëvizje, në kohën kur Kosova është para zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Bashkimi Evropian mund të insistojë që të ketë takim. Mbase edhe mund të ndodhë takimi, por rezultati i takimit ka për të qenë zero”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Demhasaj, një pjesë të përgjegjësisë e hedh edhe te Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut. Sipas tij, BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen në këtë proces.

“Derisa nuk e ndryshon - pra të caktojë afate kohore për palët që t’i kryejnë obligimet që i marrin nga marrëveshjet që i arrijnë, të marrë masa ndëshkuese ndaj palës që nuk i kryen obligimet - mendoj se kështu kemi për të vazhduar ndoshta edhe me vite”, thotë Demhasaj.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Ai thotë se BE-ja, në këtë fazë, mund t’ia dalë t’i ulë bashkë Bislimin e Petkoviqin, por jo udhëheqësit politikë - kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një përpjekje e mëvonshme për takim ka dështuar, për shkak të, siç është thënë, disa kushteve që ka nxjerrë Kurti atëkohë, e që Vuçiq nuk i ka pranuar.

Por, Janjiq thotë se as në rastin e takimit të kryenegociatorëve, ai nuk pret ndonjë rezultat pozitiv.

“Nuk besoj. Çfarë mund të merren vesh ata? A mund ta thotë haptas [zëdhënësi i BE-së, Peter] Stano se dinë se institucionet paralele janë jolegale? Nuk mundet, sepse kanë marrë pjesë në atë turbullim të opinionit, por edhe të Vuçiqit, se do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe. Pse nuk u bisedua për arsimin? Nuk është temë fare. Ata dëshirojnë tash të flasin për objektet e zaptuara dhe për atë se a do ta kalojë dikush urën?”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Nga fundi i javës së kaluar, çështja e institucioneve paralele serbe në Kosovë është aktualizuar sërish, pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë të tilla në pjesën veriore të vendit.

Banorët serbë të zonës, prej vitesh, kanë marrë shërbime të ndryshme në to dhe mbyllja e tyre ka shkaktuar reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës.

"Jemi peshq të vegjël": Serbët në veri kërkojnë kthimin në institucionet e mbyllura

Kjo, përkundër faktit se për shuarjen e këtyre strukturave ka një marrëveshje që është arritur në Bruksel qysh në vitin 2013, por zbatimi i saj ka ngecur. Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ngjashëm ka kërkuar të trajtohet edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e makinave, gjë të cilën Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë.

Janjiq thotë, po ashtu, se qasja e Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi është krejtësisht burokratike dhe pa “shkop ose karotë”, përkatësisht pa dënim e shpërblim.

Sipas tij, BE-ja, por edhe vendet e QUINT-it - SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe - duhet ta mbështesin esencën e dialogut, duke zgjidhur çështjet më të rëndësishme, të cilat do të çonin natyrshëm drejt normalizimit të qëndrueshëm të raporteve.

“E këto [çështje] janë: sukcesioni - pra, çfarë do të ndodhë me pronën, zgjidhja e statusit të serbëve si pjesë e statusit të Kosovës, si dhe pjesa e tretë që ka të bëjë me gjërat fundamentale, pra, ekonomia, përfitimet etj. Siguria duhet të vijë në mënyrë të natyrshme përmes komunikimit NATO-Kosovë dhe NATO-Serbi”, thotë Janjiq.

Bashkimi Evropian gjatë gjithë kohës këmbëngul se të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh në vitin 2011, duhet të zbatohen.

Marrëveshje të tilla janë me dhjetëra, por shumë pak janë zbatuar. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një forum të sigurisë në fundjavë, se Kosova nuk ka trajtim të barabartë në dialogun me Serbinë.

REL-i kërkoi koment për këto pretendime nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, por nuk mori. E, BE-ja thotë se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian varet nga normalizimi i marrëdhënieve.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, por nuk ka marrë përgjigje.

Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në bllok në fillim të vitit 2014, por grupin e fundit të kapitujve e ka hapur në dhjetor të vitit 2021.

Ngecja e Serbisë në proces ka ndodhur kryesisht për shkak të mospërputhjes me politikën e jashtme të BE-së, e sidomos për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com


Sondazhi i ditës:

A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?

  • Po

    14.3%
  • Jo

    82.3%
  • Nuk e di

    3.4%
Vota total: 5389

Votat totale janë unike

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Prishtinë! Kamioni humb kontrollin dhe merr para veturat, 11 të plagosur

Aksident i rëndë në Prishtinë! Kamioni humb kontrollin dhe merr para veturat, 11 të plagosur