TIRANE- Qeveria ka parashikuar që vetëm brenda këtij viti kalendarik të hapë rreth 3700 vende të reja pune, ndërkohë që fondi i nxitjes së punësimit është trefishuar. Nga ana tjetër Panairi i Punës i çelur gjatë këtyre ditëve po ofron rreth 6200 vende pune. Ky fakt është bërë i ditur nga vetë kryeministri Edi Rama pikërisht në 1 Maj, ditën e Punëtorëve. “Qeveria e re e ka trefishuar fondin e nxitjes së punësimit. Qysh në vitin e parë me këtë fond, ne jemi të gatshëm të krijojmë kushtet për mbi 3700 vende pune. Pra vetëm me këtë fond. Nga ana tjetër, Qeveria ka ndërtuar mekanizma për ta vënë në lëvizje këtë fond, në mënyrë që të mos mbetemi tek fasha e parë, e vendeve të punës që krijojmë përmes fondit, por të hapim edhe një sërë shtigjesh të reja që të shumëfishojmë mundësitë për punësim”, ka pohuar Rama.

Sipas tij, tashmë janë miratuar 6 programe për nxitjen e punësimit nëpërmjet formimit në punë, pra nëpërmjet krijimit të kushteve për të trajnuar dhe kualifikuar forcën e punës, në funksion të ofertave të tregut. Sipas tij, këto programe synojnë në punësimin e të rinjve, shtresave në nevojë, personave me aftësi të kufizuara por edhe grave dhe vajzave të reja. Sipas kryeministrit Rama, fondi i rritjes së punësimit do të orientohet tërësisht në bashkëpunim me sipërmarrjen. “Për çdo të punësuar të ri, pavarësisht nga mosha, ne si shtet do të marrim përsipër pagesën e plotë të sigurimeve shoqërore për një vit, duke lehtësuar sipërmarrjen. Nga ana tjetër, do të ofrojmë 4 paga minimale, nëpërmjet të cilave sipërmarrja do të lehtësohet dhe do të kontribuojë më shumë për të bashkëpunuar në këtë projekt të madh të rritjes së punësimit.

70 % e përfituesve nga fondi i nxitjes së punësimit, do të jenë të reja dhe të rinj, dhe 50 % e të tërës do të jenë gra e vajza”, ka pohuar kreu i qeverisë gjatë vizitës që ka bërë në Panairin e Punës. Gjatë kësaj vizite kryeministri ka ftuar të gjithë të papunët të aplikojnë, pasi ky panair ofronte një mori zanatesh dhe profesionesh. “Ky Panair, kjo hapësire sot ofron 6 mijë vende pune. Për të qenë më i saktë, këtu, në këtë hapësirë ofrohen 6200 vende pune. Janë edhe 2000 vende pune të industrisë fason, që janë këtu sot në dispozicion për ata që duan punë.

Janë mbi 2500 vende pune në të gjithë vendin në industrinë e ndërtimit dhe posaçërisht nga kompanitë e mëdha, që janë të përfshira në projekte të mëdha të ndërtimit. Në këtë Panair ka punë për të gjitha nivelet” ka pohuar kryeministri Rama. Sipas tij, Qeveria ka ndërtuar mekanizma për ta vënë në lëvizje Fondin e Punësimit, në mënyrë që të mos mbetemi tek fasha e parë, e vendeve të punës që krijohen përmes fondit, por të hapim edhe një sërë shtigjesh të reja që të shumëfishojmë mundësitë për punë. 

Shkrimi u publikua sot 2 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)