Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist

Të nderuar deputetë dhe deputete,
Kongresi ishte një sukses. Njerëzit dëgjuan vizionin tonë për një rilindje shqiptare. Janë të panumërta komentet dhe postimet elektronike për programin e shpalosur. Ka entuziazëm, por ka krejt natyrshëm edhe dyshime në realizueshmërinë e angazhimeve të forta që Programi ynë përmban. Të jemi të qartë edhe njëherë; Programi i shpalosur në Kongres nuk është fjala jonë e fundit, po vetëm hapi ynë i parë në rrugën e re që u propozojmë shqiptarëve. Duke nisur nga nesër libri i Programit do t’u shpërndahet të gjitha organizatave socialiste, nga Bajram Curri deri në Konispol. Të gjithë bashkë, nga unë e nga çdo deputet, do të nisim kontaktet intensive me partinë për të diskutuar programin. Këto kontakte do të shtohen javët e ardhshme dhe me përfshirjen e anëtarëve të rinj të Asamblesë Kombëtare në mbarë territorin. Mbledhjet e organizatave për diskutimin e Programit do të bëhen të hapura, ku udhëzohen dhe nxiten të gjithë drejtuesit e organizatave që të ftojnë në mbledhjet e tyre mbështetës të partisë dhe qytetarë të interesuar në çdo fshat dhe në çdo qendër votimi në qytet. Hapja e diskutimit për programin duhet të shkojë paralelisht me hapjen e partisë. Pra, duhet të nisë puna menjëherë edhe për objektivin e rritjes 30% të anëtarësisë socialiste në vitin 2012. Programi ynë i ri duhet të bëhet pronë e sa më shumë shqiptarëve, duke i bërë ata pjesëmarrës në diskutimin për të dhe duke marrë prej tyre çdo vërejtje, sugjerim, ide, që përkon me vizionin e socializmit tonë europian. Po dhe Partia Socialiste duhet të bëhet shtëpia e edhe më shumë shqiptarëve. Të gjithë të larguarit për çfarëdo arsye, në çdo fshat e qendër votimi, duhet të ftohen të marrin pjesë në diskutimet e Programit në organizata. E, po ashtu në këto diskutime duhet të ftohen edhe të gjithë ata mbështetës, simpatizantë, dashamirës, të reja dhe të rinj, njerëz të interesuar për t’u bërë pjesë e kësaj familje të madhe politike, po që rëndom pak kush kujtohet të shkojë t’ju trokasë në derë dhe shumë shpesh ju mbërrijnë fjalët e tepërta mes nesh. Sepse kjo është baza e shkëlqyer e parimeve dhe vlerave që duhet të na bashkojë natyrshëm, me përgjegjësinë kombëtare dhe qytetare të nxjerrjes së vendit nga qorrsokaku i varfërisë, papunësisë, padrejtësisë dhe pasigurisë ku gjendet.
Programi ynë është dera jonë e hapur. Çdo organizatë socialiste duhet të hapë derën e saj në kuptimin më të plotë të fjalës për këdo që dëshiron ta diskutojë me ne këtë Program dhe të bashkohet me ne për ta bërë këtë program realitet. E kjo nuk nënkupton vetëm një mbledhje të hapur, nuk nënkupton as që njerëzit të vijnë drejt nesh, por nënkupton që ne të shkojmë tek njerëzit.
Për javën parlamentare që fillon dua t’i propozoj komisionit tonë të ligjeve, sipas pikës përkatëse të Paktit tonë me dhjetë pika, një hap të ri për nxitjen e procesit legjislativ lidhur me projektet që kërkojnë 3/5 e votave. Të dorëzojmë pa humbur asnjë minutë, në Kuvend, një axhendë të specifikuar pune për komisionin parlamentar të ligjeve me një rend çështjesh e afatesh, ashtu siç e kemi propozuar në parim, por këtë herë në detaj. Për të mos i lënë më as edhe një mundësi palës tjetër që t’i ikë përgjegjësive të veta, për këtë aspekt të rëndësishëm të procesit të integrimit dhe t’i bishtnojë Paktit që ne kemi ofruar “Për Shqipërinë si gjithë Europa” dhe jo për një pazar me ta.
Në ndërkohë të gjitha komisionet duhet ta përshpejtojnë punën për të përgatitur debatin parlamentar më të rëndësishëm, atë të projektbuxhetit 2012. Në dritën e Programit tonë të sapo shpallur, duhet të jemi shumë të drejtpërdrejtë në nxjerrjen në pah të të gjitha fakteve dhe shifrave që dëshmojnë falimentimin e qeverisjes. Në ekonomi, arsim, shëndetësi, siguri, mjedis dhe me radhë. Por, duhet të jemi po ashtu, shumë të qartë në propozimet tona konkrete. Shqiptarët duhet të dëgjojnë në atë debat të gjitha aspektet që e dallojnë qeverinë e sotme nga qeveria jonë e nesërme.
Lejomëni të falënderoj në fund, jo formalisht, po realisht dhe me gjithë zemër, të gjithë ata ndër ju që kontribuuan për Programin e ri, duke bërë një punë të vështirë dhe shumë serioze për tre muaj me radhë. Dua të të falënderoj posaçërisht Ilir Beqaj për koordinimin shumë efikas të të gjitha bërthamave të grupit të punës për programin, sipas fushave. Po ashtu të falënderoj dhe të gjithë ekspertët e jashtëm, vendas apo të huaj, që na ndihmuan bujarisht me idetë dhe me kritikat e tyre. Ndërkohë Programin ua kemi dërguar edhe një sërë personalitetesh të huaja, të politikës dhe të ekonomisë, që kanë shprehur dëshirën ta lexojnë dhe të na ndihmojnë në vijim.
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?