Tirana priti për të katërtin vit radhazi Kupën Japoneze të Ambasadorit, një turne që bashkon xhudistë dhe karateistë shqiptarë. Palestra e Parkut Olimpik, u kthye për disa orë në një arenë ku u zhvilluan garat dhe publiku ndoqi me vëmendje secilën përballje, duke përforcuar frymën e respektit dhe disiplinës që karakterizon sportet japoneze. Në këtë edicion morën pjesë 116 sportistë, 64 garues nga sporti i Judos dhe 52 sportistë dhe specialistë nga Karateja.
Organizuar nga Ambasada Japoneze në Tiranë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Xhudos dhe Federatën Shqiptare të Karatesë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, turneu ka fituar vend të veçantë në kalendarin sportiv dhe kulturor shqiptar, duke promovuar jo vetëm garën, por edhe vlerat e artit dhe filozofisë së sporteve japoneze.

Moment nga gara
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Blendi Gonxhe theksoi se nuk ka aksion më të fortë kulturor, edukativ, social se sa sporti.
“Sporti, ashtu si arti, është një akt kulturor, edukativ dhe social që bashkon njerëzit. Shembulli japonez është frymëzues – sporti si pjesë e javës kulturore tregon se nuk ka veprim më të fortë që nxit përfshirje dhe solidaritet. Çdo investim që bëjmë në sport është një investim në të ardhmen, sepse ekonomia më e mirë e vendit është e ardhmja më e mirë për të rinjtë tanë”, u shpreh z. Gonxhja.
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, z. Fidel Ylli, tha se:
“Qeveria Shqiptare, Ministria e Sportit ka në plan që vitin tjetër të fusë sportet individuale në shkolla. Por që të futen nëpër shkolla kërkojnë trajner të specializuar për të mësuar gjithë ato lëvizje fillestare. Kemi këtë muaj kampionatin Europian në peshëngritje”, tha z. Ylli.

Jon Vrenozi
Ndër sportistët më të dalluar të këtij edicioni ishte xhudisti Jon Vrenozi, një emër me peshë në sportin shqiptar, me 23 vite përvojë në xhudo. Ai arriti të marrë vendin e parë, duke treguar jo vetëm aftësi të jashtëzakonshme teknike, por edhe frymë sportive të admirueshme. Mes emocioneve të fitores, ai tregon rreth këtij sporti.
“Kam 23 vite që merrem me këtë sport. E kam nisur në moshën 4-vjeçare. Ka qenë iniciativë e prindërve që unë ta vazhdoja këtë sport. Në kampionatin e fundit që kam marrë pjesë, ishte Kampionati Ballkanik, dola në vend të 3-të. Ishte një eksperiencë shumë e veçantë për mua sepse isha kthyer nga një lëndim. Unë dola në vend të parë dhe fitova 3 ndeshje. Ishte hera e 3-të që marr pjesë në këtë kampionat. Ëndrra e çdo sportisti është të kualifikohet në Olimpiadë. Tre vitet e fundit kanë qenë vetëm kualifikime dhe ne do mundohemi të shkojmë në këto kualifikime. Përveç anës fizike dhe teknike, duhet të punoj shumë edhe ana mendore. Që të jesh në një nivel shumë të lartë, duhet të stërvitesh dy herë në ditë, dy orë paradite dhe dy orë pasdite”, tha sportisti Vrenozi.
Fituesit e Kupës së Ambasadorit 2025:
Kategoria e djemve:
Vendi i parë: Jon Vrenozi
Vendi i dytë: Luka Briçi
Vendi i tretë: Klevis Murati dhe Ersi Cuka
Kategoria e vajzave:
Vendi i parë: Erisa Brahimaj
Vendi i dytë: Desara Ndoci
Vendi i tretë: Fjoralba Marku dhe Peris Balaj
Komente











