Editorial/Bën mirë që dëgjon
popullin,po median kush e dëgjon?

Tashmë që prej një jave mediat denoncojnë mungesën e rojeve vrojtuese bregdetare në plazhet shqiptare. Pas mesazheve triumfale të tre viteve më parë, kur Edi Rama dhe Auron Tare treguan me krenari kullën e parë të vrojtimit, të ndërtuar në një plazh të Jugut, kur shpallën se, nga ai çast e më pas, siguria e pushuesve në Shqipëri do të ishte e garantuar nga prania e “bay watch” në çdo plazh, qoftë ai publik apo privat, nuk ndodhi më asgjë.

Në kuptimin se kullat e vrojtimit, ato të paktat që u ndërtuan pas atij njoftimi, mbetën bosh, pasi askush nuk i paguan “bay watch”.

Report TV dhe Shqiptarja.com që prej një jave po bëjnë një investigim, gjatë të cilit po zbulojnë se, për plazhet publike, përgjegjësia është e bashkive, të cilat nuk kanë fonde për të paguar pagat e rojeve bregdetare.

Plazhet private, të cilat kanë detyrimin ta ofrojnë këtë shërbim, e injorojnë ligjin dhe asnjë bashki nuk ndërhyn duke u hequr – siç mund ta bënte – koncesionin atyre mbi përdorimin e plazhit.

Ministria e Turizmit, që duhej të kontrollonte bashkitë, nuk kontrollon dhe nuk merr asnjë masë. Agjencia e Bregdetit e Auron Tares pranon se problemi ekziston, por nuk ka kompetencë të bëjë asgjë.

Ndërkohë, pushuesit mbyten dhe askush nuk ndërhyn dhe asnjë institucion e asnjë koncesionar privat nuk paguan për indiferencën e tyre. Dhe as për jetët njerëzore që humbasin për faj të tyre.

Kjo është një verë e nxehtë dhe në këtë korrik pas-zgjedhor kryeministri Edi Rama po punon duke organizuar çdo ditë dëgjesa publike me popullin, pasi ka vendosur se do të jetë populli anëtari i dytë i koalicionit të tij të ardhshëm qeveritar.

I mbetur më në fund vetëm në timon, siç ëndërronte, kryeministri ka zgjedhur të ketë në krah të tij opinionin publik për të qeverisur bashkë me popullin. Askush nuk do t’ia heqë zërin popullit, por në çdo demokraci moderne mediat konsiderohen si një zë i opinionit publik.

Atëhere si shpjegohet që, pas një jave denoncimesh në media për këtë skandal mbi mungesën e sigurisë në det, asnjë institucion nuk po reagon? Dhe si mund të pajtohet kjo situatë skandaloze e mungesës së sigurisë në plazhe me ftesat që edhe vetë qeveria u bën turistëve të huaj që të vijnë e të kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri? Dhe pse, përballë denoncimit të mediave, hesht edhe Edi Rama vetë?

Premtimi për të dëguar zërin e popullit është një premtim impenjativ, sepse ecën përgjatë fillit të hollë të demagogjisë dhe populizmit.

Por, për të shmangur që të degjenerojë në diçka qesharake një projekt i mirë i qeverisjes kolektive, duhet që institucionet, duke filluar nga kryeministri, të jenë të ndjeshme edhe ndaj denoncimeve të mediave dhe të reagojnë ndaj çdo alarmi dhe jo vetëm ndaj atyre që i interesojnë timonierit.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen