Editorial / Kush ka frikë nga
burimi i parave të mediave? 

Editorial / Kush ka frikë nga<br />burimi i parave të mediave? 
Si financohen mediat në Shqipëri? Ç’origjinë kanë paratë që mbajnë në këmbë 35 gazeta, 200 portale web, 100 radio dhe 90 televizione? Kush financon në të vërtetë super-investimet dhe super-rrogat e paguara nga botuesit shqiptarë, në këmbim të shumë pak të ardhurave që deklarohen zyrtarisht? Një mister ky, që vazhdon tashmë prej më se 15 vitesh, por asnjë institucion publik nuk ka tentuar kurrë ta zbulojë.

Një sinjal i parë mbërriti këto ditë, kur AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive) miratoi një rregullore për dhënien e licencave radiove me përmbajtje fetare, në nenin 14 të së cilës ka parashikuar të drejtën për të hetuar, përmes institucioneve të specializuara (duke nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave), mbi origjinën e financimeve të radiove të tilla. Arsyeja është e thjeshtë: Në një kohë kur integralizmi fetar financon luftërat, duhet të jesh vigjilent që të mos lejosh para që financojnë edhe mediat fetare me qëllim që të rekrutojnë luftëtarë apo thjesht që ushqejnë urrejtjen fetare.
 
Po pse të mos e shtrish të njëjtin kontroll financiar edhe mbi mediat e tjera? A nuk është vallë po aq e rrezikshme që interesa kriminale (apo para të pista) të mund të shërbejnë për të orientuar opinionin publik dukë financuar në mënyrë klandestine media, që në dukje janë të lira?
 
Origjina e financimeve të mediave mbetet një tabu’ edhe për politikën, duke përfshirë faktorin ndërkombëtar. Po dekriminalizohet Parlamenti, po bëhen përpjekje për të dekriminalizuar Drejtësinë, po mbërrin madje edhe FBI-ja për të hetuar mbi korrupsionin e politikanëve, por asnjë kryeministër, nga viti 1993 e deri më sot, nuk ka patur kurajën për të aplikuar një formë të çfarëdolloji transparence për financimin e gazetave, radiove dhe televizioneve.

Të cilat, në fakt, gjatë këtyre më se 20 vjetëve demokraci, janë shumëfishuar në mënyrë të jashtëzakonshme, po ashtu sikurse kohët e fundit po ndodh me portalet online, një vrimë tjetër e zezë kjo, së cilës, jo vetëm që nuk i dihen financuesit, por as pronarët dhe shpesh as emrat e gazetarëve që punojnë në to. Dhe shumica e tyre nuk janë regjistruar as pranë tatimeve. Ndërkohë, së fundi, në një forum ndërkombëtar të informacionit, BBC sinjalizoi se pesë vitet e ardhshme 80 për qind e informacionit do të kalojë përmes smartfonëve dhe jo më vetëm nëpërmjet televizionit, duke u lejuar kështu edhe këtyre sajteve-kioska totalisht anonime dhe evazor tatimore të bëhen media strategjike.
 
Motivet për dyshime mbi origjinën e financimit të media nuk mungojnë. Tregu i reklamave edhe në Shqipëri është në krizë të thellë, me buxhete shpesh të reduktuara në masën 50 për qind, megjithatë kjo nuk duket të prekë bilancet e disa televizioneve, që vijojnë të investojnë në godina super-luksoze, paga shumë të larta, makina të përshtatshme për top-menaxherë dhënë punonjësve të tyre dhe lukse pa kufi. Ka edhe televizione të fikura, me ortakë që nuk hedhin asnjë lek për financim, por që, në mënyrë të mistershme, nisin të investojnë në teknologji shumë të re dhe për burimet njerëzore shpenzojnë qindra mijëra euro. Kjo është sikur një i pastrehë të flejë në Ferrari.

Ka portale web, që punësojnë gazetarë, të cilët i paguajnë me paga sa dyfishi i vlerës së tyre në treg, e megjithatë në home page-in e tyre nuk kanë asnjë grimcë reklamë. Ka media të përfshira në listën e zezë të bankave pasi nuk paguajnë dot borxhet e megjithatë vazhdojnë të gjejnë burime për të blerë teknologji, për të investuar në infrastrukturë dhe për të paguar rroga milionëshe. Për të mos folur për gazetat, në minimumin e tyre historik të shitjeve, por që, pa asnjë strategji e logjikë sipërmarrëse, vazhdojnë të dalin në treg duke shtuar çdo ditë humbjet e tyre në nivele të papara.
 
Nga vijnë paratë për këto super-investime? Kush ua mbulon humbjet të gjithë këtyre mediave teknikisht të falimentuara?
 
Jo të gjithë përdorin para të pista, por është e ligjshme të dyshosh se jo të gjithë kanë mundësinë të investojnë para të pastra. Ja pse do të ishte e drejtë që parimi i transparencës, i kërkuar nga AMA për radiot fetare, të shtrihej në të gjitha mediat. Këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë persekutim, sepse kush mund ta justifikojë origjinën e financimeve të tij, nuk ka pse të trembet. Por as duhet ndenjur me sy mbyllur përballë një tregu obez, në të cilin mbijetojnë gati të gjithë botuesit, pavarësisht nga kriza: një treg i veçantë, sepse prodhon një produkt unik, që quhet informacion, nga i cili varet formimi i kulturës dhe i opinionit publik. Dhe, në fund të fundit, nga i cili varet cilësia e demokracisë së një vendi, madje edhe e klasës së tij politike.         


Nuk kanë vlerë fushatat shpifëse të lëshuara nga Sali Berisha kundër mediave që e kritikojnë dhe as batutat e Edi Ramës mbi kënetën informative. Në të kundërt, edhe këto deklarata kontribuojnë, ashtu si dhe mjegulla që mbështjell origjinën e financimeve, për të diskredituar besueshmërinë e të gjithë gazetarëve. Ndërkohë, ajo që duhet, pikërisht për të tharë “kënetën” dhe për t’i kthyer dinjitetin informacionit shqiptar dhe gazetave e botuesve të tij të ndershëm, është një operacion transparence financiare serioz, i kthjellët, por i thellë.   
 
[email protected]


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit