Editorial/ Nëse policia u frikësua në Elbasan do ketë kurajo të përballet me VIP-at në Tiranë?

Editorial/ Nëse policia u frikësua në Elbasan do ketë kurajo të përballet me VIP-at në Tiranë?
Ngjarjet e treguara nga mediat orët e fundit ngjallin dyshime serioze lidhur me gjendjen shpirtërore të Policisë së Shtetit dhe mbi aftësinë e saj që të përballojë dhe fitojë sfidën e madhe në luftën kundër kriminalitetit, të cilën qeveria e ka lançuar publikisht.

Ngjarja e parë është përgjigja zyrtare, me anë të së cilës Policia në muajin gusht (dhe me shumë ditë vonesë pas kërkesës) njoftoi Prokurorinë se nuk mund të kryente përgjime ndaj tre kriminelëve të dyshuar “pasi personeli është me leje”. Ndër kriminelët e dyshuar ishte edhe Sokol Sanxhaktari, dhëndrri i kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini: do të ishte më e udhës për leverdi politike, më parë se për arsye hetimore, që pikërisht ky përgjim të mos shtyhej, kjo për të hequr dyshimin – i cili sot është shumë i fuqishëm – se “lejet” e personelit kanë qenë vetëm alibi për një zgjedhje politike në mbrojtje të kryetarit socialist të Bashkisë.

Ngjarja e dytë është zhvilluar në të njejtin mjedis politik dhe ka të bëjë me Suel Çelën, shok i ngushtë i dhëndrrit të Qazimit dhe djali i biznesmenit Petrit Çela, një tjetër emër i fuqishëm i qytetit. Videoja e regjistruar nga telekamerat e sigurisë të tregut agro-ushqimor në pronësi të familjes Çela tregojnë makinën e blinduar 100 mijë euroshe, të drejtuar nga Suel Çela, që godet një patrullë të Policisë, e cila kishte vendosur postbllokun përballë tregut: makina e blinduar e Suel Çelës, duke treguar arrogancën tipike të “të fortëve”, pasi goditi patrullën e Policisë, hyn brenda rrethimit të tregut.

Në një vend tjetër, do të ishte konsideruar se ra në grackë, por çuditërisht në Elbasan Policia nuk reagon: ndalon në pragun e portës hyrëse dhe nuk hyn për të arrestuar bosin. Si ka mundësi që Policia fillimisht refuzon të përgjojë një bandë kriminelësh dhe pastaj nuk arreston në vend bosin që drejton makinën e blinduar, pasi që ky ka hyrë brenda një rrethimi të mbyllur? Pse sot shpenzohen para dhe energji duke bërë sikur po e kërkojnë atë, ndërkohë që dje ishte kurth?

Sinjali alarmant është se kjo është policia e re në kohën e “timonit unik”. Në rast se, deri pak muaj më parë ekzistonte alibia e aleatit në mazhorancë, që pengonte të arrestohej Balili, apo ajo e ministrit të Brendshëm që lejoi kanabizimin e vendit, po tani i kujt është faji? Prej nëntë muajsh ministri i ri i Brendshëm Fatmir Xhafa ka zëvendësuar gati të gjithë kupolën e Policisë, tani Edi Rama është i vetëm në timonin e qeverisë e megjithatë Policia nuk ka guximin të kapërcejë një gardh e të arrestojë djalin e një biznesmeni të Elbasanit (ndoshta) vetëm sepse është mik i kryetarit të Bashkisë së qytetit. Në vitin 2015 u arrestua nga Policia për armëmbajtje pa leje dhe vetëm një gjykatë më parë dhe amnistia më pas i kthyen lirinë. Sot duket më keq se dje.

Lufta kundër bandave nuk fitohet nëse Policia ka frikë dhe nëse Policia në terren nuk e ndjen veten të mbrojtur mjaftueshëm nga Shteti për të cilin lufton. Në skenën bezdisëse të Elbasanit, i pari që nuk kalon portën ishte zëvendëskreu i Policisë së Elbasanit: kur u ndal ai, si mund të pretendohet që të shkojnë përpara njerëzit e tij? Dhe pse nuk zbriti në terren po atë natë drejtori i përgjithshëm i Policisë e, po të ishte nevoja, edhe vetë ministri, vetëm që t’u jepte atyre djemve forcën që të përmbushnin detyrën e tyre deri në fund? Nëse Policia i trembet një të forti, çfarë duhet të bëjë pastaj një qytetar i pambrojtur?

Në të vërtetë, dyshime ka edhe për efikasitetin e aksionit për të sekuestruar makinat e shtrenjta dhe frika është se edhe ky nuk është gjë tjetër veçse një show. Sa prej super-makinave të ndaluara nga Policia ndodhen ende nën sekuestër? Dhe çfarë vlere ka të sekuestrohen makinat në rrugë, nëse më pas tatimorët nuk janë në gjendje të bëjnë një hetim të thellë, për të kuptuar se me çfarë lekësh janë blerë ato? Al Capone nuk u arrestua kurrë për krimet e tij makabër, por vetëm për evazion fiskal: në rast se – siç thoshte edhe gjyqtari italian Giovanni Falcone – për të kapur bosët duhej ndjekur lumi i parave, për të kapur bosët shqiptarë duhet hetuar mbi pasuritë e tyre. Për këtë nuk vlejnë show mediatikë, por hetime të heshtura bankare dhe pasurore.
Por, lind pyetja se sa guxim do të kenë institucionet: kur patën frikë dhe u ndalën para portës së një tregu agro-ushqimor në Elbasan, a do të kishin kurajo të kapërcenin portat dhe sekretet e të fuqishmëve të Tiranës?  

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

 
 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Burri me një çantë me eksploziv, kërcënon se do hedhë në erë Gjykatën e Selanikut (VIDEO)

Greqi/ Burri me një çantë me eksploziv, kërcënon se do hedhë në erë Gjykatën e Selanikut (VIDEO)