EDITORIAL/ 'Të fortët' e Shqipërisë që nuk i tremben pandemisë!

EDITORIAL/ 'Të fortët' e Shqipërisë që nuk i tremben pandemisë!

Ministrja dhe Komiteti i Ekspertëve në një mbledhje

Evropa po përballet me atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e quan rrezikun e një vale të katërt të koronavirusit. Me rastet e shtuara të infektimeve dhe me rritjen e numrit të viktimave COVID, shumë shtete evropiane kanë shtrënguar masat anti-COVID, duke vendosur jo vetëm orë policore, por detyrimin për certifikatë vaksinimi në shumë ambiente publike.

Në Shqipëri, autoritetet shëndetësore e quajnë nën kontroll situatën me COVID-19.

Edhe pse po përballemi përditë me raste të infektimit të fëmijëve, që kanë çuar deri në mbylljen e disa shkollave në vend, dhe përhapjen zinxhir të infektimit në institucione të tjera, siç janë rastet edhe në burgje, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ka ndryshuar asnjë masë në vend.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli për mundësinë e vendosjes së certifikatës së vaksinës për të hyrë në bar-restorante, megjithatë në Shqipëri nën hundën e autoriteteve, shumë lokale e clube qëndrojnë të hapura edhe natën, përtej orës policore që vijon të mbetet 23.00, dhe në shkelje të rregullave mbrojtës të distancimit e mbajtjes së maskës.

Të rinjtë i sheh në turma nën ritmet e muzikës e alkolit të pashqetësuar nga autoritetet, që njëherazi i kanë vendosur me detyrim vaksinimin jo për luks e argëtim siç janë lokalet, por për dijen: të shkuarit në universitet.

Stadiumi i mbushur plot, në Shqipëri, i bën të gjithë të flasin kur tifozët hedhin shishe uji ndaj lojtarëve, por askush nuk ka sy të shohë rrezikun që u vjen për jetën. Po në Shqipëri, foltoret e betejave politike të një ish-kryeministri që kërkon sërish pushtetin, komentohen nga analistë e politikanë nëse po e “copëtojnë” ose jo një parti në përpjekjen e saj për të bërë opozitë. Por të gjithë bëhen të verbër, se si në salla plot, njerëzit pa distancë e pa maska, kthehen në vatër të përhapjes së pandemisë.

Ata që vërtetë duhet të punojnë për të mbijetuar, për të siguruar bukën e gojës së familjarëve të tyre, në biznese e fabrika që nuk u mbyllën as në ditët më të errëta të pandemisë, sot kanë probleme me punonjës të sëmurë  masivisht, të infektuar diku nga një pakujdesi, e diku tjetër pse jo, nga zhinxhiri i papërgjegjëshmërisë sociale që edhe kur bota flet për vdekje, ushqimin e gjejnë tek politika e futbolli. Paradokse këto që gjejnë vend vetëm në Shqipëri.

Pa gjetur aftësinë për të zbatuar në terren urdhrat e shkruar në letër (orën policore, mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura, grumbullimet në takime elektorale, stadiume, autobusë), Ministria e Shëndetësisë kaloi në një tjetër stad: Dozën e tretë dhe vaksinimin e fëmijëve. Ky i fundit deri më tani shihet i dështuar, derisa autoritetet nuk kanë guxuar ende të nxjerrin një shifër se sa fëmijë janë vaksinuar me Pfizer nga 1 nëntori kur nisi të zbatohet urdhri. Një dështim që nuk guxon të flasë askush, e nga ana tjetër nuk e përkthejnë në një fushatë masive sensibilizuese me arsye të qarta përse prindërit duhet t’i marrin përdore fëmijët e t’i cojnë të vaksinohen në qendra shëndetësore.

Shembullin më të mirë të seriozitetit me të cilin duhet përballuar pandemia, në Shqipëri e gjejmë në Parlament, me ligjvënës që debatet dinë t’i përqëndrojnë vetëm në akuza politike dhe me fytyra zbuluar (pa maska), që flasin e qeshin, argumentojnë e akuzojnë, duke harruar se ata të parët, janë në shkelje të ligjit. Sepse në Shqipëri, ndryshe nga shumë shtete të tjerë të një bashkëjetese sociale e demokratike, i fortë është kush nuk zbaton ligjin.

K.T./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vlora: 12/11/2021 14:57

    Kjo foto shpjegon thenien: Bej si them un po mos bej si bej une.

    Përgjigju
  • Papagalli: 12/11/2021 00:31

    Kete vend vetem shoku Enver te ngrihet nga varri e ben zap.

    Përgjigju
  • Pepa: 11/11/2021 14:10

    Bravo atit qe e ka shkruajtur kete artikull. Masat qe jan vendosur deri tani asnje per tyre nuk mbahet as kontrollohet nga institucione, sepse policia tani meret me kultivimin.

    Përgjigju
    • Kela: 11/11/2021 21:45

      Vertet shume profesional. Ka nje arome gazetarie dhe jo si seksioni partiak me Meron & co.

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Kur humbesh pas detajeve e harron pyllin

Skënder Minxhozi: Kur humbesh pas detajeve e harron pyllin