VIDEOLAJM/Deputeti i Rithemelimit, Spaho konflikt brenda qendrës së votimit në Zvezdë, tërheq për krahu një qytetar: Nuk më lanë të shihja procesin

Një incident është shënuar në qendrën e votimit Zvezdë të Maliqit ku deputeti i Rithemelimit, Edmond Spaho është konfliktuar me një qytetar. Siç shihet edhe në videon e siguruar nga Report TV, Spaho tepër i tensionuar, tërheq për krahu një qytetar në qendrën e votimit.

Denoncimi për rastin është bërë nga kandidati i PS-së për bashkinë e Maliqit, Gëzim Topçiu. Ndërkohë nga ana tjetër, Spaho ka pretenduar se është rrethuar nga disa persona të cilët thotë se i dolën para dhe nuk e lejuan që të takohet me komisionarët për të mësuar ecurinë e procesit. Ai shprehet se është shtyrë nga disa persona dhe për pasojë ka reaguar.

Sipas Spahos, kur ka dalë jashtë, të rinj që mbanin kapuça dhe qëndronin aty, e kanë goditur në buzën e sipërme dhe e kanë sharë e ofenduar. Ai thotë se njoftoi policinë dhe bëri kallëzim penal për këtë ngjarje.

Për këtë ngjarje është shprehur edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i cili e ka konsideruar incidentin si një veprim të përsëritur nga ana e Spahos. Ndërsa një prej qytetarëve në qendrën e votimit ku ndodhi incidenti, ka akuzuar Spahon për dhunë fizike dhe verbale. Ai tha se ishte dhunuar nga Spaho vetëm se po priste radhën për të votuar. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:32
Incidenti në Maliq, Spaho: Të rinj me kapuça s'më lanë të vëzhgoja më dhunuan! Bëra kallëzim penal, duan të intimidojnë votuesit

 

Deputeti Edmond Spaho ka bërë me dije se ka bërë kallëzim penal për incidentin e ndodhur në qendrën e votimit në Zvezdë të Maliqit ku pretendon se është goditur nga të rinj me kapuça që mbështesin Gëzim Topciun e kanë dhunuar.

“Unë shkova në qendrën e votimit në Zvezdë për të kontrolluar ecurinë e procesit të votimit. Që në hyrje të shkollës, në verandë konstatova një grup të madh të rinjsh të veshur me kapuça. Hyra në korridorin e shkollës pa hyrë në qendrën e votimit dhe u përpoqa t’i bëj shenjë njërit prej përfaqësruesve të subjektit që përfaqësoj që të dalë jashtë dhe të më informojë, sic veproj zakonisht. Ndërkohë 2 gorilla të gjatë më dolën para me kurriz dhe nuk më lejonin të hyja.

U zhvendosa djathtas për të krijuar hapësirë, por edhe ata u zhvendosën djathtas. U përpoqa të shmang njërin prej tyre por mu kthyen dhe më thanë, ti deputet nuk ke për të hyrë këtu. I shpjegova që do thërras përfaqësuesin tim për tu informuar por nuk më lejoi dhe në këto kushte u përpoqa ta tërheq dhe të hap rrugën për të kryer detyrën time. Është e ligjshme që të hyj. Unë hyra në korridor dhe gjithë ai grup njerëzish duhet të qëndrojë 200 metra larg qendrës së votimit sepse po intimidonin zgjedhësit që po vinin për të votuar.

U detyrova të dal jashtë, të gjithë ata dolën dhe në verandën e shkollës jam përballur me një lumë të sharash, të bërtiturash e akuzash. U detyrova të thërras policinë dhe komisionin zonal të zgjedhjeve. Kur po prisja policinë, deputeti Ilir Pendavinji filloi me një lum të sharash, të bërtiturash, hidheshin parulla politike. Madje shprehte dëshirën që zgjedhjet do t’i fitojmë ne.

Kur Pendavinji me grupin e tij po shanin e intimidonin, dikush nga njerëzit e tij më ka goditur në buzën e sipërme në krahun e majtë. Për të mos u acaruar situata, kam dalë jashtë territorit të shkollës e kam pritur ardhjen e KZAZ dhe të policisë. Erdha në polici për të bërë kallëzim penal ku i dhashë edhe videot të njerëzve që më penguan si dhe grupin e të rinjve me kapuça që intimidonin votuesit. Këto ndodhin se Gëzim Topçiu do të fitojë me çdo kusht, me banda”, tha Spaho.

Ora 13:45
Incidenti në Maliq, nënkryetari i KZAZ denoncon në polici deputetin e PS-së: Është gangster, na ka kërcënuar

 

Kujtim Hoxha nënkryetar i KZAZ-së nr 70 në Maliq është paraqitur në komisariatin e policisë për të denoncuar deputetin e Partisë Socialiste për Maliqin Ilir Pendavinjin. Ai tha për Report Tv, se shkoi në Zezdë pas raportimeve për konflikt atje dhe kur ka shkuar është kërcënuar nga deputeti i PS-së.

‘Nuk ishte një situatë normale për të pasur zgjedhje të lira. Unë denoncimin do ta bëj për Ilir Pendavinjin, se quaj deputet, ai është një gangster. Në ambientet e votimit është shprehur se sido që të votohet ne me Edi Ramën e kemi të fituar.’- u shpreh ai.

Ora 13:01
Përplasja fizike me Spahon, qytetari në Maliq: Më tërhoqi zvarrë vetëm se po prisja rradhën për të votuar

 

Një prej qytetarëve në qendrën e votimit të Zvezdës ka pohuar se ka pasur përplasje fizike me deputetin e Rithemelimit Edmond Spaho. Qytetari deklaron se është tërhequr zvarrë nga Spaho i cili e kishte pyetur përse rrinte në rradhë.

“Vjen Edmond Spaho na merr zvarrë dhe na nxjerr jashtë, mua dhe ca të tjerë. Na thoshte pse rrini këtu, ndërsa ne rrinim këtu në rradhë për të votuar. Çfarë duan deputetët që vijnë këtu dhe na kërcënojnë. Më hoqi zvarrë. Unë quhem Mondi, na turpëroi edhe emrin”- u shpreh qytetari.

Ora 12:53
Përplasja e Spahos me qytetarin brenda qendrës së votimit, Peleshi: Individ që mundohet të bëjë emër me gjeste te këqija

 

Duke komentuar përplasjen fizike të deputetit të Rithemelimit, Edmond Spaho me një qytetar brenda një qendre votimi në Zvezda, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e ka konsideruar si një veprim të përsëritur nga ligjvënësi demokrat.

Ai tha se Spaho është munduar edhe herë të tjera të bëjë emër nëpërmjet gjesteve të tilla, ndërsa e cilësoi si një incident të vogël që nuk do të mbahet mend gjatë.

“Më vjen keq kur dëgjoj për incidente të tilla sidomos nga deputetë. Nuk është hera e parë që ky individ mundohet të bëjë emër nëpërmjet gjesteve dhe sjelljeve shumë të këqija, aspak qytetare, duken si rrufe në qiell të kaltër. Janë tërësisht të huaja në shoqërinë tonë, por gjithsesi janë incidente të vogla që nuk lënë ndonjë gjurmë të rëndësishme. Nesër do harrohen, jemi qytetarë të përgjegjshëm dhe më mirë se me deklarata politike, përgjigjien e jep më mirë populli”- tha Peleshi.

B.V/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni