Ai është shprehur publikisht, se i ka kërkuar ministrit Bushati që të emërojë konsull në Milano, këshilltarin e tij, Alban Daci. Kërkesa vjen pak kohë pas shkarkimit të Luljeta Çobanit me akuzën e korrupsionit, akuza të cilave deputeti Ndocaj u kishte mëshuar prej muajsh.
“Unë, deklaroj publikisht se i kam paraqitur z. Bushati, Ministrit të Jashtëm kandidaturën e z. Daci, sepse është një djalë që mund të jap shumë për Shërbimin Diplomatik, që do i shërbej shumë edhe Shtetit Shqiptar e do të jetë një vlera e jashtëzakonshme edhe për emigrantët. Alban Daci, nuk është një kandidaturë që vjen nga pazaret e politikës, por një djalë i rritur dhe i shkolluar në Perëndim dhe që një pjesë të mirë të kohës pa asnjë interes personal e ka shpenzuar për të mirën e shqiptarëve, për demokracinë dhe lirinë e shqiptarëve”, shkruan deputeti Ndocaj, i cili nuk e kursen ironinë ndaj Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
“Duke mbështetur kandidaturën e z. Alban Daci, jo vetëm që nuk ndjehem keq, por jam promovues i vlerave të rinisë shqiptare që nuk duhet të keqpërdoret politikisht e vetëm për interesa politike. Z. Ministër ndoshta ndjehet në siklet për faktin se unë i kam prezantuar një kandidaturë me një CV që nuk është mësuar ta ketë Ministria e Jashtme dhe shërbimi diplomatik shqiptar”, thotë Ndocaj.
Deputeti i Lezhës i rikthehet dhe një herë gjendjes në Konsullatën e Milanos, duke e quajtur bandë kriminale.
“Me sa di unë në lidhje me skandalet e Konsullatës së Milanos, që ishte kthyer në një çerdhe dhe bande kriminale ka edhe një proces hetimi të hapur. Do të dëshiroja shumë që Prokuroria të mos ndikohej nga askush të bëj hetimet e duhura e nëse dikur ka bërë pasuri me vulën e shtetit dhe në shpinën e emigrantët duhet ta paguaj sipas ligjeve në fuqi”, shprehet deputeti.
Në fund ai ka edhe një mesazh personal për ministrin.
“I bëj thirrje z. Bushati të vlerësoj si duhet kandidaturën e z. Alban Daci, pasi ai bën pjesë tek ajo ekselencë që ne publikisht e politikisht bëjmë sikur e përkrahim. Pra, z. Daci nuk bën pjesë tek ato burokrat që hyjnë e bëjnë karrierë për shkak të nepotizmit dhe me diploma të blera ose pa diploma fare”, mbyll shënimin e tij deputeti i Lezhës.
Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)