Eduart Ndocaj: Partia Socialiste
E vetmja forcë progresiste

Eduart Ndocaj: Partia Socialiste<br />E vetmja forcë progresiste
LEZHE - Eduart Ndocaj, i larguar nga familja që në moshën  13 vjeçare, i është dashur që të jetojë në emigracion  për mbi 20 vite, në sfida dhe sakrifica, pa harruar se një ditë do të duhet të kthehet serish në vendlindjen e tij. i njohur si shqiptari që çuditi Italinë, pasi zbriti në këtë vend nga një gomone dhe u bë pothuaj investitori më i fuqishëm shqiptar atje, ai sot kërkon të bashkojë qytetarët e Lezhës, Mirditës e Kurbinit, pa dallime partiake,  në një kuvend zhvillimi. Stërnipi i një patrioti të madh lezhjan, kryeplakut të Bajrakut të Manatisë të Mirditës Kol Gjok Deda, i cili me shokët e tij bashkëngriti flamurin e pavarësisë në Lezhë, sot e ka më të lehtë sfidën e besimit qytetar për një rilindje kombëtare. 

Zoti Ndocaj ju tashmë jeni një person i cili  gëzon reputacion dhe simpati të veçantë në rrethin e Lezhës. Si po e menaxhoni këtë sukses? 

Për mua është një kënaqësi e madhe që, me punën dhe përpjekjet e mija, ja kam dalë të nderoj jo vetëm familjen time por, mbi të gjitha, të gjithë ata të rinj dhe të reja të cilët, me apo pa dashjen e tyre, u larguan në emigracion dhe u gjendën të vetëm në mundësitë e panjohura që ju ofronte vendi i huaj. Suksesi është rrjedhojë e punës së papërtuar dhe i sakrificave të shumta. Unë jam banor i Lezhës dhe, si çdo histori tjetër suksesi në këtë vend, është e pamundur që të mos biesh në sy. Jam i  kujdesshëm që të  jem gjithmonë i përulur kundrejt të gjithë atyre që, me sakrificat e tyre të përditshme, jetojnë me ndershmëri dhe përkushtim ndaj Zotit dhe familjeve të tyre.  Une jam djalë lezhjan, marr dhe u jap mirënjohje të gjithë banorëve të këtij qyteti. Eshtë në traditën e vendlindjes time që të respektoj këdo që ecën dhe ka sukses sikurse edhe të ndaj suksesin me të tjerët. 

Ju tashmë jeni kandidati zyrtar i PS në zgjedhjet e 23 qershorit. Çfarë synoni që të arrini në politikë?

Dua të theksoj se nuk synoj të bëhem pjesë në politikë për të rritur mirëqenien time ekonomike. Ajo që synoj të arrij është pikërisht ndërgjegjësimi i të gjithë investitorëve vendas dhe ata të diasporës për të krijuar një forum të madh i cili do të mblidhet një herë në vit në të cilin do të debatohet për strategjitë e zhvillimit kombëtar. Nuk duhet të presim vetëm që shteti të  bëjë ligje dhe ne t’i zbatojmë. Kërkohet që biznesi të gjenerojë ide dhe shteti  t’i përkrahë. Për këtë qëllim jam i bindur se duhet të krijohet një kuvend i zhvillimit kombëtar. Ky kuvend duhet të krijohet sa më parë  dhe në të duhet të ftohen investitorë vendas dhe të huaj që kanë interest të investojnë në Shqipëri. Bashkëpunimi sjell zhvillim dhe gjithçka lind nga vullneti i mirë. Ajo që sot mugon në vendin tonë është pikërisht mungesa e frymës dhe e iniciimit të sipërmarrjeve të tilla. Lezha është pikërisht vendi ku duhet të mblidhet ky kuvend pasi, më shumë se në asnjë vend tjetër, kuvendet shqiptare kanë qenë të suksesshëm në Lezhë. Unë jam kandidat i PS. Mendoj se kandidimi im ka ardhur në kohën e duhur dhe me subjektin e duhur politik. Personalisht zgjodha të jem pjesë e grupit të PS për të dhënë edhe unë kontributin tim personal në rilindjen e vendit. Kjo fjalë nuk është thjeshtë slogan. Kjo fjalë është nevoja dhe kërkesa e gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ne nuk kërkojmë zëvendësimin e një kryeministri me një tjetër. Kërkojmë një kryeministër si  Edi Rama, një kryeministër për të bërë realitet rilindjen e Shqipërisë. Të gjithë po bëhen protagonistë në anën e duhur të historisë, askush nuk mund të mos përfshihet në këtë stuhi rilindjeje.
ndocaj rama

A keni ju një platformë konkrete për bujqësinë?

Natyrisht që po. Ajo  nuk është vetëm platforma ime, ajo është, para së gjithash, platforma e PS. Sa i përket implementimit të saj në qarkun e Lezhës dua të them se domosdoshmëria është jetike. Nuk mund të flasim për bujqësi sa kohë që çdo vit të mbjellat e fermerëve përmbyten si pasojë e papërgjegjshmërisë së pushtetit. Kjo gjë është bërë ritual. Fshatarët e zonës më thonë se kanë frikë të punojnë dhe të mbjellin tokën sepse çdo vit ajo përmbytet dhe puna, mundimi dhe prodhimi ju shkon dëm. Kjo gjë është e patolerueshme. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë kurrë më. Nevojitet që të pastrohen në mënyrë urgjente kanalet kulluese. Ujërat e shiut duhet të fshytëzohen për ujitjen e tokës jo për shkatërrimin e produketeve të mbjella. Nuk mund të lihet çdo gjë në mëshirë të fatit. Kjo është kriminale. Programi i PS është një program jo vetëm social, por dhe një program shkencor për të zgjidhur këto probleme të përsëritura të shkatërrimit të bujqësisë. Prodhimet bio në zonën e Lezhës janë nga më cilësoret jo vetëm në vend por edhe në rajon. Ajo që kërkohet është ruajtja e standartit më të lartë në prodhim  dhe garantimi i këtij standarti  nga vetë organet shtetërore të cilat gjatë gjithë kësaj kohe tregojnë se përsërisin gabime të cilat kanë kosto në ekomoni.

Çfarë do të bëni për përmirësimin e kushteve ekonomike për banorët e zonës?

Varfëria esktreme që ndesh çdo ditë në çdo takim është një shenjë se qytetarët shqiptarë nuk jetojnë as në minimumin jetik. Qeveria  nuk ju siguron asgje këtyre banorëve, të cilët, veç ajrit, të gjitha të tjerat duhet t’i blejnë me lekë. Më shqetësuese është situata kur shikon të rinjtë pa punë. Dëshira e tyre për t’u arsimuar është e madhe por kushtet ekonomike e bëjnë të pamundur të ardhmen. Kjo situatë duhet të marrë fund. Korrupsioni dhe indiferenca e qeverisë duhet të marrin fund. Njerëz të varfër ka në çdo vend të bashkimit europian, por nuk mund të tolerohet kurrë më varfëri në këto nivele në një vend të vogël dhe me shumë burime natyrore, muzeale etj , sikurse është Shqipëria. Zona e Lezhës ka resurse të pashfrytëzuara të cilat, nëse do të vihen në lëvizje, do të bënin që të lulëzonte turizmi dhe të rritej niveli ekonomik i banorëve.  Në këtë zonë investimet e qeverisë janë qesharake pasi teknologjia e përdorur ka qenë difektoze. Dua të përmend këtu impiantin e ujërave të zeza, filtrimi i tyre është i pamundur pasi të gjithë tubacionet janë çarë dhe janë jashtë funksionit duke shtuar më tej nivelin e ndotjes. Personalisht jam përfshirë në një projekt i cili do të ketë një impakt tjetër të lartë për turizmin. Nga kontaktet me biznesmenë italianë kam siguruar  investime të rëndësishme për krijimin e një porti  turistik për pjesën veriperëndimore të vendit. Nuk mund të kuptohet një zonë bregdetare që synon rritjen e turizmit pa një port turistik të standarteve të BE dhe pa një fushatë sensibilizuese ndërkombëtare për burkuritë e natyrës shqiptare. Lezha ka çdo gjë, njerëzit patriotë, detin, malet dhe fushat, por ajo s’ka më kryesoren, administratën shtetërore. Një tjetër aspekt shqetësues është edhe infrastruktura, e cila lë shumë për të dëshiruar.  Shumë rrugë në zonën e Lezhës janë akoma me kalldrëm, asfalti ende nuk ka depërtuar në të gjithë zonën. Për këtë ka përgjegjës, ka edhe fajtorë, por ka edhe shpresë për të ndryshuar rrënjësisht gjithçka. Kjo shpresë është skuadra e PS e cila është shpërndarë në të gjithë atdheun për të bërë publike atë që do të ndodhë pas 23 qershorit. 
eduard ndocaj
Ju vini në këto zgjedhje edhe me investime tashmë të përfunduara. Çfarë mund të veçoni?  

Investimet në qytetin e Lezhës janë sipërmarrje moderne dhe vizionare. Këto investime kanë si synim kthimin e besimit të bujkut shqiptar, për të punuar tokën dhe për të  shfrytëzuar resurset e vendit. Investimi i parë ka të bëjë me ndërtimin e një fabrike makaronash e cila do të shfrytëzojë si lëndë të parë pikërisht grurin e  prodhuar në fushat e Lezhës. Sot në të gjithë botën po lulëzon industria e përpunimit të mbetjeve urbane. Kjo industri jo vetëm që është fitimprurëse por njëherësh ka një impakt të gjerë në jetën e përditshme dhe në mjedisin e qytetit. Për këtë shkak kam nisur nga puna për ndërtimin e një tjetër fabrikë e cila  do të kryejë përpunimin e mbeturinave urbane për rreth 120 mijë banorë. Konsumimi i mjaft produketeve apo lëndëve të para nuk  përfundon  vetëm në një proces, riciklimi i tyre është ekonomi më vete. Nuk është e nevojshme që  të kryejmë import të mbeturinave  nga jashtë. Mendoj se nëse do të shfrytëzonim mbeturinat që krijohen në vend do të realizonim njëherësh edhe pastrimin e qytetit por edhe rritjen ekonomike të zonës nga ky investim.
eduard ndocaj

Cili është mesazhi për elektoratin tuaj? 

Unë nuk i shikoj njerëzit me ngjyrime politike. Unë jam një ndër ata banorë të Lezhës që kam besuar kohë më parë në zhvillimet dhe proceset demokratike. Gjatë këtyre viteve jo vetëm që jam zhgënjyer por njëkohësisht kam shpresuar se do të vijë një ditë që Shqipëria do t’i kthehet respektimit të ligjit dhe progresit mbarëshoqëror. Ajo që duam për familjet tona duhet të rrënjoset edhe në jetën politike e publike në vend. Ky është mesazhi im. Rilindja  nuk është term politik abstrakt. Eshtë diçka konkrete. Eshtë ajo që kërkojmë të gjithë, për të gjithë. Unë besoj tek familja. Besoj edhe tek energjia e përbashkët. Besoj tek kryetari i PS Edi Rama. Mesazhi im eshte qe t’i besojme ketij njeriu energjik dhe vizionar shpresat e Shqipërisë europiane. 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën