Operacioni për rritjen e zbatimit të ligjit për imigracionin në Minesota do të marrë fund.

I dërguari i Donald Trump për çështjet e kufirit, Tom Homan tha se presidenti kishte miratuar kërkesën e tij për të përfunduar operacionin.

Homa shtoi se do të qëndronte në Minesota pak më gjatë.

“Unë do të qëndroj në Minesota edhe për pak kohë për të mbikëqyrur tërheqjen dhe për të siguruar suksesin e tij”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp këtë të enjte.

Sipas tij, Zyra e Imigracionit dhe Doganave (ICE) ka pasur gjithmonë një prani në Minesota dhe do të vazhdojë të ketë një të tillë.

Homan shpjegoi se zyrtarët në Minesota kanë arritur të “ulin ndjeshëm numrin e objektivave” për zbatimin e ligjit të imigracionit, duke e quajtur Operacionin Metro Surge “një sukses të madh”.

Më shumë se 4,000 emigrantë pa dokumente ishin arrestuar, sipas Homan.

Pas konferencës për shtyp, zyrtarë të lartë të Minesotës dhe ata federalë u shfaqën në një seancë dëgjimore në Capitol Hill mbi masat e rrepta të Trump ndaj imigracionit.

Rritja e fundit e numrit të oficerëve të imigracionit, e cila shtoi rreth 2,000 në numrin ekzistues, shkaktoi protesta në SHBA pas vrasjes së dy qytetarëve amerikanë nga agjentët federalë në janar.