"Konflikti i deputetit Armando Prenga me të plagosurit e lagunës së Patokut, ka vijuar edhe në spital". 

Kështu ka dëshmuar në sallën e gjyqit Dritan Beqiraj, efektiv i policisë, i cili është marrë në pyetje para trupit gjykues. Dritan Beqiraj, risolli edhe një herë ngjarjen e 4 shtator të vitit të kaluar, ku pas një konflikti me familjen Cali, mbetën të plagosur 7 persona. 

Isha në shërbim në spitalin e Traumës, ku erdhën të plagosurit. Prenga u prezantua në spital me emër dhe me funksionin e deputetit. Pak më vonë, pati një përplasje verbale mes tyre”, dëshmoi efektivi Dritan Beqiraj. 

Pas kësaj situate, efektivët e policisë i kishin kërkuar Prengës, që të largohej nga aty në një vend më të sigurt, pasi aty mund të kishte rrezik. 

Menjëherë, sipas tij, deputeti Prenga është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. 

Dëshmitari tjetër, roje në spitalin e Laçit, konfirmoi se para gjykatës se kishte parë që në spital kishte kishin mbërritur disa persona një prej tyre i plagosur në pjesën e përparme të trupit. 

Ai pohoi se nuk i njihte personat, pasi jetonte prej pak kohësh në Laç. Personat e tjerë, sipas tij, ishin nisur drejt Tiranës. 

Në fund gjykata shtyu marrjen e fakteve të tjera për seancën e ardhshme gjyqësore. 

Akuzat që rëndojnë mbi ish-deputetin Armando Prenga, janë: “Plagosje të rëndë, me dashje”, “armëmbajtje pa leje”, dhe “Kanosje serioze për vrasje”. 

Ngjarja ka ndodhur me 4 shtator të vitit 2015 dhe lidhet konfliktin me familjen Cali, për të drejtën e shfrytëzimit të Lagunës së Patokut.

 Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)