Egjipt - Raportimet ndërkombëtare nga Egjipti thonë se autoritetet e përkohshme janë duke planifikuar të fillojnë të largojnë mbështetësit e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi nga dy kampet që kanë krijuar në Kajro.

Mbështetësit e Morsit janë vendosur që prej disa ditësh jashtë xhamisë Rabaa el-Adevije në lindje të Kajros dhe në sheshin Nahda, në perëndim të kryeqytetit.
 
Vëllazëria myslimane, që mbështet Morsin dhe kërkon rikthimin e tij në presidencë, ka paralajmëruar gjakderdhje. Sipas disa burimeve për BBC-në ushtria është duke menduar që të kufizojë aksesin në këto kampe për persona të tjerë si dhe dërgesat e ushqimit dhe ujit.
 
Më shumë se 250 njerëz, shumica prej tyre mbështetës të Morsi-t, tashmë janë vrarë në përleshjet që kur ushtria rrëzoi udhëheqësin e parë të Egjiptit më 3 korrik, pas protestave masive që kërkonin dorëheqjen e tij.
 
Javën e kaluar, presidenti i përkohshëm i Egjiptit, Mansour Adly, fajësoi Vëllazërinë Myslimane për dështimin e përpjekjeve për ndërmjetësim nga diplomatët ndërkombëtarë.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)