Egjipt, burg të përjetshëm për
Mubarak, protesta në gjykatë

Egjipt, burg të përjetshëm për<br />Mubarak, protesta në gjykatë
KAIRO- Ish presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak është dënuar me burgim të përjetshëm për bashkëpunim në vrasjen e protestuesve gjatë revoltës popullore vitin e kaluar, ku humbën jetën 840 njerëz. Në sallë ka shpërthyer zemërimi dhe ka pasur skena kaotike si pasojë e reagimit të publikut.

Mubarak është akuzuar për korrupsion, keqpërdorim të fondeve dhe dhënien e urdhrit për vrasjen e demostruesve pranverën e kaluar ku mbetën të vrarë 840 persona dhe u plagosën më shumë se 6000 mijë të tjerë, sipas Amnesty International. Edhe ish ministri i Brendshëm i Mubarak, Habib al-Adly është dënuar me burgim të përjetshëm në lidhje me vrasjen e protestuesve.

Mubarak dhe dy djemtë e tij ndodheshin në sallën e gjyqit në momentin e deklarimit të dënimit, por ata janë liruar nga akuzat për korrupsion megjithëse do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg në lidhje me akuza të tjera më të vogla.

Njerëzit në sallë kanë reaguar gjatë dhënies së dënimit duke kërkuar dënim më të rëndë. Një pjesë janë ngritur mbi karriket e tyre dhe kanë tundur grushtet, situata pothuaj ka dalë jashtë kontrollit të forcave të sigurisë. Mes kaosit të krijuar, Mubarak dhe gjyqtari i seancës janë nxjerrë nga salla. Valë zemërimi kanë shpërthyer edhe kur u konfirmua rënia e akuzave për gjashtë oficerë të lartë të policisë që, sipas turmës duhej të ishin dënuar lidhur me vrasjet e protestuesve.

Përleshje mes njerëzve dhe forcave policore janë shënuar edhe jashtë sallës së gjyqit, që mbahej në mjediset e Akademisë së rendit në Kairo. Rreth 20 persona u plagosën gjatë përleshjeve, ndërkohë që shprehnin zemërimin për lirimin e disa oficerëve të lartë të policisë.


16:55 NE TAHRIR DIGJEN POSTERAT E AHMED SHAFIQ

Vazhdon grumbullimi i qindra njerëzve në sheshin Tahrir në Kairo, në një manifestim që po merr ngjyra të forta kundër asaj që ka mbetur nga regjimi i vjetër dhe që sipas protestuesve vazhdon të kontrollojë pushtetin në Egjipt.

Pas protestave sporadike menjëherë pas dhënies së verdiktit për Mubarak, një thirrje u shpërnda për grumbullim në Tahrir në orën 17, thirrje së cilës iu bashkua edhe Vëllazëria Myslimane.

Grumbullimi në Tahrir pritet të shtohet gjatë orëve të mbrëmjes. Njerëzit po këndojnë slloganin e njohur “jemi sërish gati të vdesim” dhe thonë se do ta çojnë deri në fund fitoren e revolucionit. Postera gjigande të kandidati presidencial Ahmed Shafiq janë djegur në shesh. Shafiq, ish-kyeministër në kohën e Mubarak, kandidon në balotazh përballë Mohamed Morsit, kandidat i Vëllazërisë Myslimane.


15:36 NISIN GRUMBULLIMET NE SHESHIN TAHRIR

Gjithnjë e më shumë njerëz po mblidhen në sheshin Tahrir në Kairo, vendi simbol i revolucionit nga ku nisën protestat e mëdha për rrëzimin e Mubarak.

Një njoftim i përhapur ka bërë thirrje për grumbullime në orën 17, për të protestuar lidhur me vendimin e sotëm gjyqësor, që nga shumë njerëz u pa si dështim i drejtësisë egjiptiane pavarësisht dënimit me burg të përjetshëm të Hosni Mubarak.

Grumbullime ka paur edhe në Aleksandri dhe qytete të tjera.


13:10 MUBARAK NE LOT, NUK ZBRET NGA HELIKOPTERI


Hosni Mubarak, menjëherë pas dhënies së verdiktit, është dërguar me një helikopter në burg, në Torah, ku do të kryejë dënimin.

Mubarak ka shpërthyer në lot dhe ka refuzuar të zbresë nga helikopteri, ka treguar për AFP një officer i sigurisë.

“Ai po qante dhe nuk donte të zbriste nga helikopteri. Punonjësit e sigurisë harxhuan disa minuta për ta qetësuar dhe për ta bindur që të zbriste. Tani është i qetë dhe po hyn në ndërtesën e burgut”, tha për AFP punonjësi i sigurisë.

Ndëkohë televizioni shtetëror egjiptian raportoi se Mubarak kishte pësuar një krizë kardiake gjatë transportimit me helikopter për në burg.


(sg/ep/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull