KAJRO- Fotografitë dhe videot e postuara në rrjetet sociale dhe faqet e internetit vërtetojnë se tashmë populli egjiptian është në “luftë” mes tyre. CNN ka publikuar një raport nga Kajro, të titulluar: "Kajro u shndërrua në një zonë lufte të përgjakshme”.
 
Pas përleshjeve të ditës së mërkurë, ku forcat e sigurisë larguan me dhunë mbështetësit e Morsi-it, ku mbetën të vrarë sipas shifrave zyrtare më shumë se 600 njerëz dhe plagosur katër mijë të tjerë, edhe dita e djeshme u shënua me gjakderdhje jo vetëm në Kajro, por edhe në disa qytete të tjera.
 
ORA 21:18 - MBYLLET QËNDRESA NË XHAMINË AL FATAH
Është mposhtur rezistenca në xhaminë al Fatah në Kajro: policia ka rimarrë kontrollin e plotë të vendit të kultit, pasi demonstruesit pro-Morsi qëndruan në barrikadë për mbi 15 orë. E pohojnë burime të sigurisë. Xhami të mbyllura pas lutjes së orës 20. Xhamitë e Kajros janë mbyllur pas lutjes së ditës në orën 20.15, ndërsa në Aleksandri ka pasur manifestime të pro-Morsit, duke filluar nga ora 19 - kur nisën luftimet në të gjithë vendin pas vrasjes dje të shumë qytetarëve. Vendimi i qeverisë për të mbyllur xhamitë është marrë për “të ndalur aktivitete ekstremiste në brendësi", ka shpjeguar zv/sekretari i Ministrisë së Punëve Fetare (Ëakfs), Mohamed Abdel Razek.

ORA 18:00 NDALOHEN 4 GAZETARË ITALIANË
4 gazetarë italianë janë ndalur prej orësh. Të mërkurën e kaluiar në Egjipt u vranë 3 gazetarë mes të cilëve një fotograf dhe 15 u plagosën. Sot të huaj të ndryshëm janë ndalur dhe mbajtur për orë të tëra. Mes tyre katër të dërguar nga Italia: Maria Gianniti dhe Sergio Ciani (të Radio Rai), Gabriella Simoni (Mediaset) dhe operatori i saj, Arturo Scotti.
 
ORA 15:30 - ARRESTOHET VËLLAI I LIDERIT TË AL-KAEDËS 
Sot në Giza është arrestuar vëllai i liderit të Al-Kaedës, Mohamed al Zawahri. Lajmi konfirmohet nga siguria egjiptiane. 

ORA 15:10 - PAPA LUTET PËR T’I DHËNË FUND LUFTËS
"Papa vazhdon të ndjekë me shqetësim lajmet e këqija që vijnë nga Egjipti dhe vazhdon të lutet me shpresën për një fund të dhunës dhe që palët duhet të zgjedhin rrugën e dialogut dhe pajtimit."
Kështu thuhet një një deklaratë, të lëshuar nga zyra e shtypit të Vatikanit.


ORA: 14:50 - SULOMOHEN DY GAZETARË; NJË AMERIKAN DHE NJË BRITANIK
Në vijim të përshkallëzimit të dhunës në Egjipt janë sulmuar sot nga demonstrues kundër Morsit dy gazetarë të huaj; një gazetar amerikan dhe një britanik. Dy gazetarët u sulmuan në xhaminë Al Fath në Kajro, teksa po filmonin. Ata më pas u morën nga automjetet e blinduara të ushtrisë dhe u transportuan për në spital dhe tashmë janë jashtë rrezikut.  

ORA 13:55 VIJOJNE PERLESHJET NE EGJIPT
Gjendja në Egjipt vazhdon të mbetet kritike pas të Premtes së Zemërimit. Xhamia Al fatah në sheshin Rasmeh në Kajro po kthehet në skenë përleshjesh mes ushtrisë dhe mbështetësve të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.
Besnikët e Morsit ndodhen aty të rrethuar për më tepër se 12 orë. Ndërsa gratë dhe fëmijët janë nxjerrë nga xhamia më herët. Gjithashtu ka edhe kundërshtarë të Morsit të cilët janë mbledhur jashtë tempullit të shenjtë.
 
RRITET BILANCI I VIKTIMAVE NE EGJIPT
Numri i viktimave mund të shkojë mbi 1000 veta sipas burimeve të ndryshme dhe qindra të plagosur. Vetëm në Aleksandri numërohen mbi 40 viktima. Policisë dhe ushtrisë u është dhënë leja nga autoritet që të hapin zjarr mbi protestuesit që sulmojnë institucionet qeveritare dhe forcat e sigurisë.
 
Gjithashtu mbi 1000 besnikë të Vëllazërisë Myslimane, që kërkojnë rikthimin e Morsit, janë arrestuar gjatë të premtes, ku pjesa më e madhe vetëm në kryeqytetin e Kajros. Të shumtë kanë qenë konsultimet e lidërve ndërkombëtarë.
 
Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të takohen në Bruksel të hënën më 19 gusht për të diskutuar rreth krizës në Egjipt.
 
Ndërkohë Vëllazëria Myslimane ka thënë se është e vendosur për të protestuar, por në mënyrë paqësore.
 
ORA 10:00 - SHPËRBËHET VËLLAZËRIA MYSLIMANE
Shpërbëhet sot Vëllazëria Myslimane. Vëllazëria është shpërbërë nga autoritetet ditën e sotme. Presidenti Adly Mansour e konsideroi atë si një organizatë terroriste dhe firmosi sot dekretin për shpërbërjen e Vëllazërisë. Kryeministri Beblawi me këtë rast u shpreh: Jo dialog me personat që kanë duart me gjak. Vëllazëria Myslimane është krijuar që në vitin 1954. 


Redaksia online
(l.ç/e.s/mag/shqiptarja.com)