KAJRO - Dekreti i së dielës i presidentit Mursi, për rimbledhjen e Parlamentit të shpërndarë në qershor, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, e cila deklaroi se vendimi i saj është detyrues për çdo institucion.

Pas dekretit të presidentit, kreu i Parlamentit të shpërndarë u bëri thirrje deputetëve të mblidhen në seancë të martën pasdite.

Forcat ushtarake që mbanin të rrethuar godinën e Parlamentit u urdhëruan të largoheshin duke lejuar hyrjen e mundshme të deputetëve. Ndërkohë, Këshilli Suprem i ushtarakëve u mblodh me urgjencë menjëherë pas shpalljes së dekretit dje, por nuk doli me ndonjë qëndrim publik.

Sot, presidenti Mursi dhe Feldmarshall Tantawi, kreu i Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura (SCAF), u shfaqën së bashku në një ceremoni diplomimi kadetësh.

Mirëpo Gjykata Kushtetuese në mbledhjen e sotme, e paralajmëruar që dje, deklaroi se vendimet e saj “janë finale dhe nuk mund të apelohen”.

Kundër dekretit të presidentit Mursi janë shprehur disa nga kandidatët e tjerë presidencialë që humbën garën, duke vërejtur se presidenti nuk mund të dalë mbi gjykatat.

(ep/shqiptarja.com)