KAJRO - Parlamenti egjiptian është mbledhur sot për gati një orë në një seancë që tingëlloi më shumë si sfidë ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Forcave të Armatosura.

Gjykata, që e shpërndau parlamentin në qershor, u mblodh sërish dje dhe prapë e kundërshtoi dekretin e presidentit Mursi për rimbledhjen e parlamentit. “Vendimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe detyruese” ishte konkluzioni i mbledhjes. Edhe Këshilli i gjeneralëve i kërkoi presidentit të zbatonte ligjet kushtetuese dhe të mos dilte mbi gjykatat.

Ndërkohë, gjykata po shqyrton sot një sërë ankesash që kërkojnë të anulohet dekreti i presidentit. Nga ana tjetër Vëllazëria Myslimane ka thirrur një marshim të madh të mbështetësve të saj në mbështetje të presidentit Mursi, i cili për momentin është i vetmi institucion i zgjedhur nga populli në Egjipt.

(ep/shqiptarja.com)