EGJIPT - Presidenti i Egjiptit Mohamed Morsi mbajti një fjalim televiziv drejtuar kombit, pas trazirave të dy ditëve të fundit që sollën disa të vdekur e qindra të plagosur. Morsi ofroi dialog me opozitën dhe shfaqi keqardhje për viktimat, por në thelb lëshimet ndaj opozitës ishin të pakta dhe ai nuk u tërhoq nga referendumi për kushtetutën më 15 dhjetor, pika kryesore që kundërshton opozita.

Morsi ftoi opozitën në një tryezë dialogu të shtunën. Por ai këmbënguli që egjiptianët të shkojnë në referendumin e 15 dhjetorit. “Lërini ata të votojnë pro ose kundër”, -tha Morsi. Më tej presidenti fajësoi për dhunën ‘individë të infiltruar’ të paguar nga palë të treta të cilat ai nuk i specifikoi më tej.

Një pjesë e fjalimit kjo, që kundërshtarët e tij e krahasuan me fjalimet e Mubarakut. Fjalimi i presidentit u prit me britma zemërimi në sheshin Tahrir ku qëndrojnë mbështetësit e opozitës. Shtatë këshilltarë të presidentit kanë dhënë dorëheqjen gjatë dy javëve të fundit, që kur nisën protestat e opozitës.

(ep/Gre.M/Shqiptarja.com)