KAJRO- Nuk ka të ndalur tensioni në Egjipt. Edhe në mbrëmjen e së martës (4 dhjetor) u mblodhën dhjetëra mijëra protestues rreth pallatit presidencial në kryeqytetin Kajro. Protestuesit hodhën sende të forta, bomba molotov në drejtim të policë dhe përpoqën të kalonin kordonin që rrethonte pallatin presidencial. Ndërsa policia u kundërpërgjigj duke hedhur gaz lotsjellës, shkopijn gome dhe ujë.

Shumë prej protestuesve thërrisnin slogane të ngjashme me ato të drejtuara kundër regjimit të presidentit Hosni Mubarak në shkurt 2011. Në përleshjet mes protestueve dhe policise kanë mbetur të plagosur dhjetëra persona ka raportuar agjensia e lajmeve Mena. Mediat kritike ndaj presidentit egjiptian kanë nisur dje një grevë 48 orëshe kundër projekt-kushtetutës dhe dekretit dhe disa gazeta dolën në treg me një numër simbolik faqesh të bardhë. Ndërsa 4 televizione private që mbështesin protestën, do të presin sinjalet e transmetimit ditën e sotme.


Pavarësisht bojkotit të liberalëve dhe të krishterëve Asambleja e udhëhequr nga islamikët ka miratuar projekt-kushtetutën e re e cila do të shkojë në referendum më 15 dhjetor. Gjatë ditëve të kaluara si projektkushtetuta ashtu edhe dekreti i presidentit Morsi, që i jepte këtij të fundit kompetenca të zgjeruara kanë shkaktuar protesta të mëdha nga kundërshtarët e presidentit.

Në rast se Kushtetuta miratohet, ajo do të shfuqizojë të gjitha deklaratat e mëhershme kushtetuese, përfshirë edhe dekretin e Morsit Egjiptit i duhet të zgjedh një parlament të ri në afat prej 60 ditësh.

(Redaksia online)
(lç/sg/shqiptarja.com)