EGJIPT - Më shumë se 51 milionë egjiptianë të regjistruar do të votojnë sot në Kajro, Aleksandri dhe 8 provinca të tjera nëpërmjet një referendumi për draft-kushtetutën e miratuar nga parlamenti i dominuar nga islamistët. Ndërsa pjesa tjetër e vendit do të votojë një javë më vonë.

Grupi opozitar, Fronti për Shpëtimin e Kombit, kryesisht laikë dhe liberalë ka kërkuar që të votohet me “jo” në referendum, por nuk ka kërkuar bojkotim të referendumit.

Më shume se 250 mijë policë dhe ushtarë janë shpërndarë në vend gjatë këtyre votimeve, të cilat janë hapur orën 08:00 të mëngjesit me orën lokale (07:00), për pjesën e parë të referendumit. Grupet e të drejtave të njeriut kanë shprehur frikën, se rezultatet nga raundi i parë mund të ndikojë opinionin e atyre, që do të votojnë në fazën e dytë që do të zhvillohet më 22 dhjetor.

Si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit politike në vend u shkaktuan protesta masive nga pro dhe kundër presidentit të cilat u përshkallëzuan me dhunë duke shkaktuar 20 të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur. Gjithashtu, presidenti egjiptian Mohamed Morsi u detyrua të heqë javën e kaluar dekretin e 22 nëntorit, miratuar nga ai, të cilit i jepte kompetenca gati të pakufizuara dhe e vendoste mbi ligjin.

Ndërkohë mediat vendase bëjnë me dije se në qytetin e Aleksandrisë disa ore para hapjes së kutive të votimit ka pasur përleshje të dhunshme mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit egjiptian ku kanë ngelur të plagosur rreth 15 persona.

(lç/eç/shqiptarja.com)