RROGOZHINË - Për herë të parë në histori klubi i KF Egnatias ka kaluar në ruandin e dytë kualifikues të Champions League. Kampionët në fuqi të Shqipërisë e arritën këtë të mërkurën mbrëma pas fitores 6-1 në ndeshjen e kthimit kundër Petroclub, teksa një javë më parë ndeshja në Moldavi ishte mbyllur 1-1.
Djemtë e trajnerit Nevil Dede dominuan rivalët dhe në ndeshjen e radhës do të gjejnë sllovenët e Celjes. Takimi nisi me gol që nga 'dhomat e zhveshjes'. Eneo Bitri shënoi për tanët që në minutën e dytë, përpara se Albanese në të 30-ën minutë të gjente golin e dytë. Në fundin e pjesës së parë Egnatias shënoi edhe golin e tretë me autogolin e Platica.
Fraksioni i dytë kishte 'melodinë' e pjesës së parë. Yago shënoi për 4-0 pas asistit të Medeiros, ndërsa miqtë shkurtuan me Rotaru. Egnatia nuk ishte ndalur me kaq pasi në gjashtë minutat e fundit shënoi dy gola të tjerë, me autorë Bakayoko dhe Ildi Gruda.
Më 21 korrik në Rrogozhinë vjen Celje, ndërsa sfida e kthimit për raundin e dytë kualifikues do të luhet më 28 korrik në Slloveni.
Edhe nëse humbet në turin e dytë kualifikues të Champions League, Egnatia e ka të sigurt pjesëmarrjen në turin e tretë të Europa League dhe fazën play-off të Conference League (nëse eliminohet në Europa League).
Komente











