Në lojë nuk ishin vetëm 3 pikët, por edhe vendi i parë i klasifikimit. Kundër Teutës Egnatia kampione në fuqi tregoi se mbetet skuadra për t’u mundur edhe këtë sezon në Superligë. Në sfidën e fundit të javës së 9 të kampionatit, që mbylli edhe fazën e parë, Egnatia ia doli të fitonte 1-0 me golin e Adjesaa-s, duke i marrë durrsakëve vendin e parë në renditje.

Pas 9 javësh kampionat Egnatia udhëheq me 21 pikë, 1 më shumë se Teuta e vendit të dytë, që gjithsesi dëshmon se mbetet pretendente për titullin e këtij sezoni.

Më herët për javën e 9 të kampionatit Tirana barazoi 1-1 në derbin kundër Dinamos edhe pse ‘nëndetësja’ luajti për 60 minuta me një lojtar më pak. Me rezultatin e njëjtë 1-1 u mbyll edhe Skënderbeu-Laçi, ndërsa Partizani u përmbys 2-1 nga Elbasani. Glen Daja mori fitoren e parë si trajner i verdhebluve, ndërsa Vora befasoi duke mposhtur 2-1 Vllazninë.

Pavarësisht 3 pikëve pas mbylljes së fazës së parë Vora mbetet në zonën e rrezikut, e ndjekur nga Skënderbeu me 10 pikë, Vllaznia 8 dhe Partizani që mbyll klasifikimin me 4. Të kuqtë për herë të parë në histori pas 9 javësh kampionat kanë grumbulluar vetëm 4 pikë. Ndaj Elbasanit ishte disfata e 6 radhazi, ndërsa ndeshja e ardhshme është të dielën kundër Teutës në transfertë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:16
Përplasje e ashpër në ‘Egnatia Arena’, grushte mes tifozëve në ndeshjen e rrogozhinasve kundër Teutës (VIDEO)

 

Një përplasje e ashpër me grushte ka njollosur supersfidën e javës së 9 të Superligës mes Egnatias dhe Teutës. Në momentet që po zhvillohej sfida disa tifozë janë përleshur më njëri-tjetrin, ndërsa nuk dihet ende nëse kanë qenë tifozë rrogozhinas kundër atyre durrsak apo sherri ka ndodhur mes tifozërisë vendase.

Ndeshja Egnatia-Teuta u fitua 1-0 nga rrogozhinasit të cilët për më tepër morën edhe kryesimin e kampionatit në dëm të durrsakëve.