Albert Krasniqi dyshohet se është vrarë sot nga babai i tij Skënder Krasniqi, në Prishtinë.
Edhe pse nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje, mediet kosovare raportojnë se Krasniqi ishte i përfshirë në plagosjen e reperit nga Shqipëria Noizy në qendër të Prishtinës. Plagosja ka ndodhur më 13 shtator të vitit 2016 .
Rigels Rajku i njohur si Noizy është dënuar me dy mijë euro gjobë për incidentin ku ai mbeti i plagosur. Ndërsa, Albert Krasnqi ishte dënuar nga Gjykata me 6 muaj burgim me mundësinë që dënimin ta shlyejë me para
Skënder Krasniqi tashmë është arrestuar, ndërsa motivet e ngjarjes së rëndë mbeten akoma të panjohura. Babai pasi kishte qëlluar të birin, kishte thirrur policinë dhe i ishte drejtuar me fjalët “ejani se e vrava djalin”.
Në profilet e tyre në rrjetet sociale, baba e bir kanë disa fotografi bashkë. Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën “Ndue Perlleshi” në Prishtinë.
“Menjëherë pas marrjes se informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ndodhinë. Aktualisht jemi në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe atyre të ekzaminimit të vendngjarjes, në funksion te ndriçimit te plote të këtij rasti”, konfirmon policia.