LONDËR, 9 tetor /ATSH-AFP/ - Britania e Madhe njoftoi sot se po përgatitej për emetimin e një kredie në juan, që do të jetë e para e këtij lloji jashtë Kinës mes vendeve perëndimore.
Ministria e Financave ka zgjedhur tre banka për ta ndihmuar në këtë proces, "Bank of China" dhe dy banka britanike "HSBC" dhe "Standard Chartered", të dyja me vendndodhje në Azi.
"Ne kemi nisur procesin për kredinë e parë britanike në juan, e para e këtij lloji nga ana e një vendi perëndimor. Kjo është një etapë e re për riforcimin e pozicionit të Britanisë së Madhe si qendër e financës botërore", theksoi ministri i Financave, George Osborne.
"Kredia, principi i së cilës ishte njoftuar në muajin shtator, do të nisë në kohën e duhur, në funksion të kushteve të tregut", shtoi ministri.
Fondet do të përdoren për të mbështetur rezervat në devizë të vendit, që ka në dispozicion për momentin vetëm në dollarë amerikan dhe kanadez, euro dhe jen.
Qeveria britanike ka nënvizuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e një riforcimi të lidhjeve ekonomike me Kinën.
"Rritja e eksporteve tona drejt ekonomive në rritje të ndjeshme ashtu si Kina është në qendër të planit tonë ekonomik afatgjatë, ashtu si dhe fakti për të tërhequr më shumë investime", nënvizoi George Osborne.
"Për këtë ne duhet të sigurohemi që monedha kineze është përdorur dhe këmbyer këtu sepse kjo nuk do të ishte e vlefshme vetëm për Kinën por gjithashtu për punonjësit dhe investimet britanike", nënvizoi ai.
Autoritetet britanike janë përfshirë në një operacion influencues që parashikon tërheqjen e kapitaleve kineze në qytetin e Londrës, ku zhvillohen tashmë rreth 60 për qind e këmbimeve në juan të realizuar jashtë Kinës./
/ec/  a.jor.