Ekonomia Kreative bën bashkë profesionistë nga Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar, Veliaj: Çështje kohe që Tirana të jetë edhe qyteti i punëve dixhitale të së ardhmes

Tirana bëri bashkë profesionistë të ekonomisë krijuese nga Mbretëria e Bashkuar, Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria, për të diskutuar mbi fushën e filmit, muzikës, teknologjisë, arkitekturës, arteve pamore etj. Në ambientet e Piramidës, u nënshkrua dhe një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe British Council, ku shprehet angazhimi për të punuar së bashku në tre vitet në vijim për hartimin e një Strategjie Zhvillimi për ekonominë kreative.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se është krenar që Tirana e ka ngritur “stekën” në fushën e kreativitetit, teksa shtoi se gjithashtu ndihet krenar për vendosjen e një marrëdhënie afatgjatë bashkëpunimi me British Council, për të mësuar nga më të mirët.

“Jam vërtet krenar që Tirana shërbeu si Kryeqyteti i Sportit dhe i Rinisë, ku besoj me gjithë zemër se ne do bëjmë një punë të jashtëzakonshme, sidomos tani që kam Blendin në krah për Tiranën, Kryeqytetin Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut. Por, unë besoj se edhe te kjo fushë, te fusha e kreativitetit, që nuk është vetëm arti dhe kultura, është edhe fashion, është edhe start-up-i e gjithë kultura e biznesit dixhital, ne do kemi mundësi të mësojmë nga më të mirët. Unë besoj se duhet të fusim pak kulturën e sipërmarrjes, si t’i kontabilizojmë disa nga këto gjëra, si mundet që një produkt mos të shihet vetëm nga 100 apo 1000 vetë, por si mund të kontabilizojmë që e gjithë shoqëria të përfshihet në një marrëdhënie financiare dhe kontributi”, u shpreh kryebashkiaku. 

Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, është vetëm çështje kohe që Tirana të jetë qyteti i punëve krijuese dhe dixhitale të së ardhmes. 

“Bashkia e Tiranës ka sërish buxhetin më të madh që ka pasur në histori. Çdo vit kemi më shumë se viti tjetër për industrinë rekreative, për art e kulturë, për teatër e për shumë prej jush organizohen eventet më fantastike në këtë qytet e mezi pres që të shtohen edhe të tjerë. Do doja që ky vit të ishte një vit stuhi idesh, se çfarë mund të bëjmë të gjithë bashkë për vitin tjetër, kur Tirana është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Kur mendoj që numri i turistëve vjet ishte 10 milionë, imagjino sa do jetë sivjet. Si mund të përfshihen ata në jetën kulturore, si mund të shkëmbejmë energji dhe me të tjerë? Kjo do ishte diçka fantastike. Sot 25% e ekonomisë së Tiranës është turizmi, 25% janë punët e reja dixhitale, punët e reja që në fakt kanë buruar nga komuniteti kreativ. Unë besoj që nëse ne mund ta kthejmë Tiranën nga qyteti i këpucëve, në një qytet të turizmit dhe të dixhitalizimit, është vetëm çështje kohe që Tirana, siç ishte Kryeqytet i Rinisë e i Sportit, të jetë gjithashtu një qytet i punëve dixhitale e të së ardhmes”, theksoi Veliaj. 

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se vendit i nevojitet sot më shumë se kurrë një bashkërendim i bazuar në dije dhe në meritë, në shërbim të interesit të përbashkët publik kulturor, ekonomik e kombëtar.

“Është pikërisht sot koha e kalimit përfundimtar nga tranzicioni i tej zgjatur i rrëmujshëm që kemi lënë pas, tek një zhvillim i qëndrueshëm kulturor e inovativ i së ardhmes së afërt ose asaj afatgjatë të shqiptarëve, por si gjithmonë si pjesë e komunitetit përparimtar ndërkombëtar”, u shpreh Gonxhja. 

Alastair King-Smith, ambasadori britanik u shpreh se Shqipëria  tashmë ka një vend të rëndësishëm edhe në  Ballkanin Perëndimor dhe në Europë sa i takon industrisë kreative.

“Shumë ndryshime kanë ndodhur këtu në Shqipëri, në Tiranë, sa i takon zhvillimit ekonomik, infrastrukturës moderne, shoqërisë civile më aktive. Kjo piramidë në Tiranë po mbledh njerëz nga e gjithë bota përmes imagjinatës që ju keni sjellë dhe historisë suaj. Shqipëria tashmë ka një vend të rëndësishëm jo vetëm këtu, por në  Ballkanin Perëndimor dhe në Europë dhe jam i sigurt se ne sëbashku mund ta ndihmojmë Shqipërinë ta mbajë këtë vend”, tha ambasadori britanik.

Clare Sears, Drejtuese e Këshillit Britanik për Ballkanin Perëndimor u shpreh se Piramida është kthyer në një qendër rë inovacionit dhe kreativitetit.

“Më pëlqen shumë fakti që tashmë Piramida është kthyer në një qendër të inovacionit dhe të kreativitetit dhe vazhdon të jetë argëtuese për të rinjtë”, deklaroi Clare Sears.

Në mënyrë që të integrojë dhe zhvillojë sektorin krijues, në vitin 2022, Bashkia e Tiranës ka themeluar Agjencinë e Industrisë Kreative.

M.Q./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Xhirafa: 28/01/2024 21:44

    Komplimente gazetarit/es qe me ne fund e shkroi fjalen "dixhitale" sic duhet, jo sic duan akademiket e kullave te fildishta.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille