Viti 2024 dhe pritshmëritë për 2025! Ekonomia u rrit, por mbetet në ‘kthetrat’ e nëndeklarimit të pagave, lufta vijon

Pas 13 vitesh, Shqipëria mori në 2024-ën bilancin e popullsisë. Censi i realizuar në vjeshtën e 2023-shit, nxori se në vend jetojnë 2 milionë e 402 mijë e 113 banorë ose rreth 420 mijë më pak se në censin e vitit 2011.

Rezultatet e CENS-it dëshmuan se popullsia po shkon drejt plakjes, shumë të rinj kanë emigruar, ka rënë lindshmëria ndërsa 35% e popullsisë është në moshë pensioni.

Shifrat e CENS-it, u konsideruan nga ekspertët kambanë alarmi për pensionet, pasi kontribuuesit dhe përfituesit janë pothuajse në të njëjtin nivel.

Afro 800 mijë punonjës me siguracione dhe 725 mijë pensionistë. Kjo ulje e raportit mes kontribuuesve dhe përfituesve bëhet edhe më e rëndë si rezultat i nëndeklarimit të fortë të pagave.

“Këtu flasim për evazion këtu flasim për krim”, shprehet eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj.

Investigimet e Report TV në pranverën e vitit 2024, hodhën dritë mbi një gropë të madhe financiare me efekte të rënda për pensionet dhe për marrjen e shërbimeve falas në shëndetësinë publike si pasojë e një fenomeni barbar që vijon në shumicën e bizneseve: Mos deklarimi i pagave reale ose mos pagimi fare e sigurime shoqërore.

“Ky fenomen sa vjen dhe shtohet fatkeqësisht”, shprehej gjatë investigimit Kol Nikollaj Kryetar i Konfederatës së Sindikatave.

Mbi 600 mijë punonjës pa sigurime dhe afro 200 mijë të punësuar me paga të nëndeklaruara, ishte bilanci i këtij fenomeni negativ që kishte prekur të gjithë sektorët, nga mediat, turizmi, ndërtimi, tregtia, industri apo fasoneri.

“Punëdhënësve ju intereson të mos i deklarojnë. Duke e deklaruar një pagë më të ulët, ata shmangin gjithë këtë detyrim duke paguar shumë më pak”, shprehet eksperti i punësimit Erald Pashaj.

Këto investigime të REPORT TV u pasuan me deklarata të forta nga vetë kreu i qeverisë kryeministri Edi Rama i cili paralajmëroi arrestime për bizneset që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve.

“Ata që s’u paguajnë sigurimet sipas pagës do i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike”, tha Rama më 8 shtator 2024.

Deklaratat u pasuan nga një fushatë antiinformalitet që nisi në tetor nga Administrata Tatimore e cila zbuloi që të paktën 37 mijë biznese nuk deklaronin pagat reale.

“Nga 662 mijë vende të deklaruar pa të vetëpunësuar, janë 10% janë dhe 24.9% janë me pagë minimale. 231 mijë vende pune me paga më të vogla ose sa paga minimale”, tha Drejtori i Tatimeve Ilir Binaj.

Aksioni do të vijojë edhe në vitin 2025, ku do të ketë gjoba, mbyllje biznesi deri dhe arrestime nëse abuzohet dhe nëndeklarohen pagat.

Viti 2024 u mbyll me pagë mesatare 77.669 lekë/muaj, e udhëhequr kryesisht nga sektori shtetëror pasi pagat në privat mbetën në vendnumëro. Janë mbi 354 mijë të punësuar në Shqipëri që nuk arrijnë pagën mesatare të vendit, por marrin deri në 60 mijë lekë në muaj.

“Masat e marra për të rritur pagat kanë shërbyer për të rritur stadin e jetesës në sektorin publik por janë një presion mbi privatin dhe nuk janë pritur me të njëjtin entuziazëm dhe mungojnë politikat sociale. Nën pagesa është fenomen që shoqëron vendet me produktivitet të ulët, me institucione të dobëta, dhe atje ku raportet e taksave mbi punën janë më të shumta sesa mbi kapitalin”, shprehet Preçi

Shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se përtej situatës me pagat të ardhurat për frymë u rritën me 506 euro nga 9,067 euro në 2023-shin arritën në 9,573 euro gjatë 2024-ës.

Edhe pse ekonomia po rritet ajo mbetet e përqendruar në vetëm 2 sektorë, turizëm dhe ndërtim, të cilët udhëhoqën edhe rritjen ekonomike të vendit në 3.9% në 9 mujorin e 2024-ës.

“Viti 2024 mund të konsiderohet si një vit kur ekonomia ka performuan nën kapacitetet e saj. Mbetet nën goditjet gjeopolitike dhe krizës ekonomike botërore. Është pozitive rënia e inflacionit. Mbështetja në sektorin e ndërtimit nuk sjellë produktivitet dhe rrezikon që në të ardhmen që asete të rëndësishme që mund të zhvillonin ekonominë të ngurtësohen”, pohon Preçi.

Ndërsa bujqësia vijon në spiralen e krizës, me kontribut negativ në ekonomi.

“Të gjitha studimet kanë provuar që nëse nuk ka prodhim vendas, rritja ekonomike është e kërcënuar nga faktorë të jashtëm. Nëse nuk ka politika që inkurajojnë mbjelljen e sipërfaqes së tokave, që inkurajojnë shtimin e kafshëve të prodhimit, që fuqizojnë tregun do ketë probleme”, shprehet Preçi

2024-ra përtej shifrave, ishte e triumfit të profesionistëve të lirë mbi tatimin e tyre. Gjykata Kushtetuese e Rrëzoi tatimin e kësaj kategorie në qershor 2024.

“Norma 15% nuk e kalon testin e proporcionalitetit pasi vetë ligjvënësi e ka përjashtuar për kategoritë e tjera”, u shpreh kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj 27 qershor 2024.

Si rezultat i ecurisë pozitive të ekonomisë, arka e shtetit mblodhi më shumë para në 2024-ën sesa në 2023-shin. Ministria e Financave raportoi se deri në nëntor u arkëtuan 647 miliardë lekë me rritje prej 60.4 miliardë lekë krahasuar me vitin e mëparshëm.

Por viti i lënë pas solli edhe një normalizim të inflacionit në tregje, pasi nga një krizë e fortë në 2023-shin inflacioni u ul në 2% në vitin 2024.

Për një vit më të suksesshëm ekonomik, për investime, shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, sigurinë, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, institucionet do të kenë në dispozicion plot 825 miliardë lekë për tu shpenzuar.

“Buxheti këtë vit duhet të kishte emrin e arsimit, për shkak se pritet një hov tjetër i zhvillimit të gjeneratës së re. Nga ana tjetër duhet të kishte një program për rritjen e cilësisë së arsimit, meqenëse u rritën edhe pagat, sidomos drejt arsimit profesional”, pohon Gjokutaj.

Ekspertët e konsiderojnë buxhet të vijimësisë por pa projekte të reja edhe buxhetin e 2025-ës.

“Ato shqetësime që kanë ekzistuar në vitet e mëparshme vazhdon ti ketë edhe ky buxhet. Lidhen me dërgimin e parave tek kontratat koncesionare. Nuk merr përgjigje mungesa e prodhimit vendas”, pohon Preçi.

Ministria e Financave ka planifikuar 757 miliardë lekë për tu mbledhur nga tatimet dhe taksat, ku edhe për vitin 2025 sektori kryesor i ekonomisë pritet të jetë turizmi, ku përtej numrave me miliona pushues, synimet janë tek turistët elitar që shpenzojnë shumë.

Sfida të vitit të ri mbeten problemet e vjetra të ekonomisë, nga reformimi i skemës së pensioneve, lufta me informalitetin, stabiliteti në çmimeve, mbrojtja e mjedisit nga volumi i lartë turistik e deri tek menaxhimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që kanë jo pak ndikim në ekonomi.

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Nga sot Thumanë-Kashar me pagesë! 'Gener 2' nis regjimin e tarifës! Bashkim Ulaj u shpërblye dhe me TEC në Roskovec e PPP e Milot -Thumanë

Nga sot Thumanë-Kashar me pagesë! 'Gener 2' nis regjimin e tarifës! Bashkim Ulaj u shpërblye dhe me TEC në Roskovec e PPP e Milot -Thumanë