Jorida Tabaku ngriti sot shqetësimin për mënyrën si po funksionon sistemi i tenderave dhe koncesioneve në Shqipëri, duke thënë se ekonomia po kontrollohet nga një numër i vogël kompanish që fitojnë vazhdimisht kontrata publike. Sipas deputetes së Partisë Demokratike, problemi nuk lidhet vetëm me korrupsionin, por me faktin se tregu po bëhet gjithnjë e më pak konkurrues.

Tabaku deklaroi se rreth 2.2 miliardë euro janë dhënë në koncesione dhe PPP, ndërsa afro 1 miliard euro prej tyre janë aktualisht nën hetim për korrupsion. Ajo theksoi se një pjesë e madhe e kontratave janë kaluar me ligje speciale në Parlament, çka sipas saj ka shmangur garën normale mes kompanive.

Deputetja tha se situata duket qartë edhe tek tenderat publikë, ku sipas saj “1 në 2 tendera jepen pa garë”, ndërsa shumica e fondeve publike përfundojnë tek një grup i vogël kompanish. Sipas Tabakut, kjo ka krijuar një model ekonomik ku bizneset e vogla dhe kompanitë që nuk kanë lidhje me pushtetin e kanë pothuajse të pamundur të konkurrojnë.

Ajo solli edhe krahasimin me vendet e rajonit, duke thënë se Serbia zhvillon shumë më tepër tendera me garë sesa Shqipëria. Në reagimin e saj, Tabaku përmendi edhe disa nga sektorët ku, sipas saj, ky model është bërë më i dukshëm, si AKSHI, inceneratorët, energjia, aeroportet dhe portet.

Deputetja e PD kërkoi reformim të plotë të sistemit të PPP-ve, koncesioneve dhe prokurimeve publike, duke deklaruar se ekonomia ka nevojë për më shumë konkurrencë dhe më pak kontroll politik mbi fondet publike.