Gati 12 përqind e 763 mijë pensionistëve mbeten jashtë skemës së bonusit mujor, sipas shifrave zyrtare të atyre që përfituan gjatë janarit. Mbi 36 mijë qytetarëve që kanë pension mbi 40 mijë lekë, iu shtuan dhe 54 mijë të tjerë që u penalizuan për shkak të skemës.

Bonusin 1800 lekë në muaj e marrin vetëm ata që kanë dalë ne pension urban me vite të plota pune por që nuk marrin më shumë se 40 mijë lekë në muaj. Po kështu e marrin 800 lekëshin ata që kanë pension urban të pjesshëm por që nuk kalon vlerën 22 mijë lekësh. Kurse pensionet rurale s’duhet të jenë më shumë se 18 mijë lekë, në mënyrë që të përfitohet bonusi mujor 1 mijë lekë.

1771601721_Tabela1.jpeg

Por jo vetëm kaq. Tavanet e vendosura, nuk lojojnë në disa raste përfitimin e plotë të bonusit. Një qytetar që merr pension rural në vlerën 17 mijë e 500 lekë, nuk e përfiton bonusin 1 mijë lekë, por merr vetëm 500 lekë, pasi nuk mund të kalohet tavani i caktuar nga qeveria, në këtë rast prej 18 mijë lekësh.

Sipas shifrave zyrtare të siguruara nga Report TV nga rreth 762,740 pensionistë që ka Shqipëria, bonusin mujor e kanë përfituar në janar 672,982 prej tyre. Prej tyre vetëm 33% e përfituesve kanë marrë 1800 lekë, ndërsa shumica ka marrë më pak.

1771601757_Tabela2.jpeg

Nëse skema do të mbetet e tillë, numri i pensionistëve që s’do të përfitojnë do të rritet në 2027-ën, pasi vlerat mujore të bonusit do të dyfishohen. Por në një reagim zyrtar për Report TV, Ministria e Ekonomisë është shprehur se skema do të rishikohet, por jo tavani prej 40 mijë lekësh.

“Në lidhje me vitin 2027, po, këto tavane do të jenë objekt rishikimi në kuadër të analizës së vazhdueshme të politikave sociale dhe reformës së sigurimeve shoqërore. Skema e kompensimit do vijojë të aplikohet për pensionet deri në 40,000 lekë në muaj, ndërsa fashat konkrete të përfitimit dhe masa e kompensimit mund të rishikohen, në varësi të: ecurisë së inflacionit, qëndrueshmërisë financiare të skemës dhe rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë”, thotë Ministria e Ekonomisë.

Ndërkohë qeveria ka vendosur ta japë edhe shpërblimin e fundvitit dhe e ka parashikuar në listën e akteve që do të miratojë brenda vjeshtës së këtij viti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:59
Qeveria do të japë shpërblimin e fundvitit, Çoçoli: Të marrin më shumë të përjashtuarit e bonusit mujor

 

Qeveria ka vendosur ta japë edhe shpërblimin e fundvitit dhe e ka parashikuar në listën e akteve që do të miratojë brenda vjeshtës së këtij viti.

Eksperti Fatos Çoçoli është shprehur se Report TV se qeveria duhet t’u japë më shumë para si shpërblim për fundvitin pensionistëve që janë të përjashtuar nga bonusi mujor.

“Në rast se nga të ardhurat na vijnë të mira të bollshme ai shpërblimi i fundvitit duhet. Qeveri e nderuar mendo për këta 90.000 pensionistë që i ke përjashtuar. Tani shikoj pra do japësh bonusin, jepu këtyre diçka që të ndihen dhe këta që janë të përfshirë në të gjithë atë përpjekjen për t'ua shtuar ndjeshëm pensionin qytetarëve tanë”, thotë Çoçoli.

Ndërkohë këtë të premte, Ministria e Financave njoftoi se rreth 167 milionë euro që nuk u shpenzuan vjet, janë depozituara tashmë në Llogarinë Speciale të Fondit të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

Fondet që kalojnë në llogarinë e Bankës Qendrore, mund të përdoren me VKM, për të mbështetur pensionistët, qoftë për shpërblimin por edhe për indeksimin e tyre.

Ora 16:41
Bonusi mujor me kufizime, ekspertët: Është krijuar pabarazi mes pensionistëve, mungoi transparenca

 

Ekspertët e ekonomisë gjykojnë se mënyra sesi është ndërtuar skema e dhënies së bonuseve mujore ka krijuar pakënaqësi tek mijëra pensionistë që kanë pritur të përfitojnë, por që ndodhi e kundërta.

“Janë 104 milion euro që janë para shtesë për pensionistët tanë, por qeveria nuk arriti të nxjerrë me transparencë të plotë që për një kategori janë 40.000 pensionistë me pension mbi 40 mijë lekë pensioni në muaj që nuk përfitojnë. Ka gjeneruar një cunam të mirëfilltë pakënaqësie”, thotë eksperti Fatos Çoçoli.

“Shpesh herë ne në Shqipëri i bëjmë gjërat me nxitim, që do të thotë nxjerrim lajmin e mirë që do të bëjmë këtë gjë dhe më pas kur bëjmë llogaritjet sa pensionistë janë, sa duhet nga buxheti i shtetit, kuptohet që ajo shuma e siguruar në buxhetin e shtetit është e pamjaftueshme për të kënaqur gjithë pensionistët”, thotë ekspertja Romina Radonshiqi.

Ekspertët kanë kritika edhe për dhënien e pjesshme të bonusit, kur pensionisti e ka pensionin afër tavaneve. Pra kur një pensionist rural merr 17.500 lekë në muaj nuk merr 1 mijë lekë bonus, por 500 lekë.

“Kjo është një farsë që nuk është shumë e madhe, por ama gjeneron shumë pakënaqësi. Po pse dikush tjetër që merr një pension të afërt ose të barabartë me mua, e merr shtesën 18.000 lekë të vjetra në muaj dhe unë nuk e marr sepse ke pension suplementar. Po kush ta tha? Është padrejtësia më e madhe se s'ke qenë transparente që në fillim”, thekson Çoçoli.

“Të mendosh që një individ, një pensionist i cili ka një nivel të lartë pensioni nuk e ka vetëm për faktin që është i pasur, por fakti se së pari ka kontribuar më shumë dhe e dyta është fakti që ai ka dalë së fundmi në pension dhe ne e dimë shumë mirë që ato që dalin së fundmi në pension, kanë një nivel pensioni më të lartë për shkak dhe të nivelit të kontribut”, thotë Radonshiqi.