Ekskluzive/Ahmeti:Kosova drejt
zgjedhjeve të parakohshme

Ekskluzive/Ahmeti:Kosova drejt<br />zgjedhjeve të parakohshme
PRISHTINË - "Shumë shpejt Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme...po flitet në mars ose maj, e nëse nuk mbahen atëherë mbeten për në shtator ose tetor të vitit të ardhshëm”. Ai që e deklaron këtë është kryebashkiaku i sapozgjedhur i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ekskluzivisht në linjë telefonike për “A1 Report” me gazetaren Erjona Rusi.
 
Ai e argumenton këtë me faktin se situata politike është bërë e paqëndrueshme dhe kësisoj nuk mendon se kjo situatë do të zgjasë shumë.  “Nëse tregojmë rezultate në komunën e Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ndoshta Vetëvendosje do të ketë edhe efekt më pozitiv”, parashikoi Ahmeti. Ajo që i pengon zgjedhjet, sipas Ahmetit, është edhe procesi i reformës zgjedhore, që bashkësia ndërkombëtare e kërkon.

Sipas tij, shumë qytetarë nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje duke menduar se ndryshimi nuk do të mund të bëhej, se nuk ka gjasa të mposhtet LDK në Prishtinë. Zgjedhësit ndëshkuan pushtetet që mendonin se e kanë të lehtë fitoren dhe dënuan gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale në Kosovë se kështu s’mund të vazhdohet më. Ahmeti ka premtuar se "Vetëvendosje do tregojë fuqinë e votës së tyre".

Në tërësi për standardin e zgjedhjeve të fundit në Prishtinë, Ahmeti është shprehur se kishte dallim shumë të madh nga zgjedhjet e vitit 2010, pasi kishte shumë më pak parregullsi.  "Mbetën ca tentativa, por zgjedhjet u përmirësuan dukshëm, se edhe kërcënimet e bashkësisë ndërkombëtare ishin më të mëdha ndaj partive të mëdha", analizoi Ahmeti.

"Ne synonim fitoren, besuam thellë në fitore, punuam shumë të nxirrnim sa më shumë votues, por ishim mes po-së dhe jo-së. Për të tjerët ishte më shumë befasi se sa për ne. Në raundin e parë Mustafa pati 900 vota më shumë se ne, por ne e shkrimë këtë rezultat", tha Ahmeti.

I pyetur mbi punët që e presin në krye të komunës së kryeqytetit të vendit, Ahmeti është shprehur se “problemi kryesor është uji, se 60% e banorëve të Prishtinës kanë reduktime të ujit, më tej është trafiku dhe transporti publik, çerdhe dhe shkolla për lagje të reja, por dhe shndërrimi i institucionit në shumë më transparent, më shumë bashkëpunim dhe diskutime me qytetarët."
Intervista e plotë e Shpend Ahmetit për "A1 Report"

VETËVENDOSJE DHE SHPEND AHMETI FITOJNË NË PRISHTINË
Vetëvendosja ka arritur fitoren e madhe duke marrë Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës që prej 14 vitesh ishte kthyer në një bastion të LDK-së dhe Isa Mustafës. Ky i fundit ka humbur postin e kryebashkiakut të kryeqytetit por duket se, LDK-ja që ai kryeson është kthyer si forcë e parë në Kosovë.
 
Shpend Ahmeti e ka mposhtur në garë për Prishtinën, LDK-në, duke u bërë kryetar i ri. Shpend Ahmeti ka fituar 51.05 % të votave përkundër 48.05 të Isa Mustafës. Katër vitet e ardhshme Prishtina do të ketë kryetarë të ri dhe për herë të parë nga një parti tjetër Shpend Ahmetin.

Ahmeti para simpatizantëve dhe qytetarëve të tubuar në shesh vlerësoi se fitorja e sotme është fitore e të gjithë qytetarëve të Prishtinës. “Deri tash flamurin kombëtare e kemi ngrit vetëm në protesta, por sot zemra mal po më bëhet kur po ju shoh gjithëve këtu”. “Sot është veç hapi i parë i ndryshimit të madh, sot është fitorja e juaj, fitorja e banorëve të Prishtinës”, tha Ahmeti.
 
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa u shpreh se partia e tij ka fituar Kosovën, pasi ka përmbysur rezultatet e para katër vjetëve në Gjilan, Pejë, Ferizaj, Viti, Suharekë, Lipjan, ndërsa në koalicion me AKR-në edhe në Mitrovicë. Sa i përket Prishtinës, ndërkaq, nuk tha se e ka humbur, por u shpreh se rezultatet e deritashme për kryeqytetin nuk janë të kënaqshme për të dhe për partinë që udhëheq ai.    
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!