Bashkim Balili ka theksuar prerë për mikrofonin e Report Tv se nuk ka asnjë lidhje me asnjë parti politike dhe as politikan, dhe se biznesi i tij është apolitik. Ai deklaroi se është pronar i ligjshëm dhe të ardhurat pronat e tij nuk kanë burim krimin apo të ardhura nga krimi. “Shoqëria ime është apolitike, nuk bën pjesë në politikë. Unë jam i martuar, baba i tre fëmijëve, kam shtëpinë time, ekonominë time. Për sa i përket pronave, që nga 1994, pronat që posedoj si pronar i ligjshëm nuk kanë burim krimin apo të ardhura nga krimi, por kanë të ardhura nga biznesi i pastër”, tha Balili.
Edhe akuzat ndaj Klementit, ai i cilësoi politike, duke sqaruar se e ka këshilluar të përballet me drejtësinë, por vëllai i tij nuk ka besim te drejtësia shqiptare, dhe se do të dorëzohet në momentin që do ketë fakte ndaj tij. "Po, i kam thënë dhe shprehimisht më ka thënë ‘drejtësia të bëjë punën e vet, jam i pafajshëm, në momentin që dënohem do vij të ballafaqohem me të vërtetën’”, sqaroi ai.
Më tej, Bashkim Balili tha se vendimi i policisë për t’i hequr licencat ishte i nxituar dhe e shkatërron atë si biznes, duke shtuar se kompania e tij është ndërtuar që prej vitit 1994 dhe zhvillon aktivitetin normalisht. Sipas tij, ky vendim i policisë prish imazhin e tij tek eprorët, prej të cilëve sqaron Balili, nuk ka marrë kurrë as edhe një vërejtje. "Është një veprim i nxituar i Policisë së Shtetit, apriori është marrë vendimi, është një vendim që mua më shkatërron si biznes, sepse ju thashë që është ndërtuar që në vitin 1994 kompania ime, e kam filluar me një licencë lokale dhe sot jam hapur në gjithë Shqipërinë bizneset e mia", shtoi Bashkim Balili.
Intervista e plotë:
Prej kohësh, emri i familjes tuaj është lakuar duke përfituar si pasojë e emrit të vëllait të tuaj, Klement Balili.
Unë jam Bashkim Balili, administrator i shoqërisë ‘Balili kompani’, e krijuar më 1994. Byrazeri im që sot lakohet, ka qenë 17 vjeç, si ka mundësi që të më jap mua të pastroj lekë në atë moshë? Me fitimet e firmës unë kam arritur të bëhem pronar i disa pronave, që mediat sot i lakojnë. Politikisht fillon debati i familjes sonë, i pronave tona. Kemi ngelur në fokus të mediave këtu e dy vjet rresht lidhur me një akuzë që bëhet për byrazerin tim.
Unë jam i martuar, baba i tre fëmijëve, kam shtëpinë time, ekonominë time. Për sa i përket pronave, që nga 1994, pronat që posedoj si pronar i ligjshëm nuk kanë burim krimin apo të ardhura nga krimi, por kanë të ardhura nga biznesi i pastër.
Kush është partia apo personi politik që ju ka krijuar lehtësira për të përfituar tokën prej 110 ha dhe tendera?
Në lidhje me akuzat që bëhen, politika për interesa të saj mban në fokus njerëz të ndershëm, të cilët nuk janë pjesë e politikës. Mua nuk më ka ndihmuar askush me përjashtim të ligjit, unë punoj brenda rregullave dhe ligjeve të shtetit shqiptar, kam marrë pjesë që nga 1994 në çdo ankand për zgjerimin e aktivitetit. Kam marrë pjesë në të gjitha tenderat e ankandit që kanë zhvilluar institucionet shtetërore, si dhe në tenderin e Ministrisë së Bujqësisë, ku në portalet e saj kam parë, kam bërë projektin dhe jam shpallur fitues i një sipërfaqeje prej 21.4 ha.
110 ha bëhet fjalë...
Media është për të pasqyruar të vërtetën ashtu siç është dhe jo për të ndërtuar alibira në saj të shpifjeve të politikës apo ndokujt tjetër. ‘Balili kompani’ ka marrë pjesë në ankandin për 21.4 ha në fshatin Burojë të rrethit Sarandë të Delvinës, nuk ka marrë 114 ha, por 21 ha, kam dhënë dyfishin e ofertës në krahasim me subjektet e tjera dhe në sajë të programit që kam paraqitur, që letrat i disponon Ministria, dhe jam i hapur të ballafaqohem me këdo, jam shpallur fitues pa mbështetje politike, shoqëria ime është apolitike, nuk bën pjesë në politikë.
Për çfarë po e përdorni tokën?
Pasi u shpalla fitues i ankandit nënshkrova një kontratë me MB, që impononte kushtet e saj. Kemi një parullë ne ‘punoni se nuk prodhohet gjë’. Pra toka që kam marrë, është lakuar kaq shumë për 114 ha, është e rrethuar, kam bërë shpyllëzimin, kam bërë kanalet dhe e kam mbjellë sipas pikave të kontratës, me shegë dhe arra. Sot aty janë 15 të punësuar, brenda 3-vjeçarit që fillon prodhimi i tyre, numri i të punësuarve aty do të shkojë edhe 50. Pra, me atë tokë që deputetët e ngjyrave politike marrin e tundin letrat, ajo tokë është pjellore, tek ajo tokë janë punësuar njerëz dhe nuk është marrë as nga politika, as nga askush. Tokën ta marrë kush e meriton dhe unë e kam vënë në eficencë tokën.
Kush është politikani, partia që keni pasur mbështetje, dhe cila parti sot ju sulmon?
Nuk kam parti dhe asnjëherë nuk kam pasur privilegje nga partitë e politika. Unë jam biznesmen, punoj me ndershmërinë time, kam bindjet e mia, siç i kanë gjithë shqiptarët, duke u mbështetur te programet e partive, por asnjëherë nuk jam shprehur që të dal dhe të them që kam një suport politik. Biznesi im është pa parti.
‘Santa Quaranta”, e sekuestruar pak kohë më parë, si e keni përfituar?
Në bazë të ligjit të transparencës ajo pronë doli në shitje, unë si gjithë të tjerët mora pjesë në ankand dhe u shpalla fitues. Kam fituar pronën me fitimet e firmës dhe e kam regjistruar më 2001. Nga 2001-2011 mundësitë e firmës ishin të pakta për të investuar në të dhe ju drejtova bankës, ku mora më 2011 një vlerë prej 800 mijë euro.
Sipërfaqja e pronës që kam është një sipërfaqe prej 30 mijë metra katror, për të bërë investimin sipas ligjit, për t’u pajisur dhe me leje ndërtimi për rikonstruksion për për ndërtim, ajo tokë është ndarë në tre pjesë, 5 mijë m, një 13 mijë m dhe një 12 mijë m. Pjesa 5 mijë metra, se kam dëgjuar në media se nuk kanë informacionin e duhur për të sqaruar të vërtetën, unë kam lidhur kontratë sipërmarrjeje me një shoqëri ndërtuese “Daet shpk”, së cilës i kam vënë në dispozicion 2 mijë m/2 truall dhe kam përfituar prej saj 35% të ndërtimit, e barabartë me 32 apartamente banimi dhe një lokal në kat të parë. Nga këto apartamente 16 prej tyre janë shitur me hipotekë, 3 prej tyre janë në kontratë sipërmarrjeje të cilëve nuk ju kam bërë likuidimin total, pjesa tjetër 13 apartamente është e pa shitur dhe figuron në emrin tim.
Kredia totale e marrë nga ‘Santa Quaranta’ është 1 milionë e 300 mijë euro,se kam marrë 800 mijë euro më 2011 dhe 500 mijë euro më 2015, se është larguar dhe thonë që është regjistruar më 2017 si biznes, ‘Santa’ ishte në rikonstruksion më 2014 dhe në këtë vit bëra inaugurimin e saj, ku duken dhe politikanë dhe mendojë mos kanë gisht. Në sloganin e saj qeveria kishte zhvillimin e bujqësisë.
Shumë njerëz kanë marrë pjesë në inaugurim dhe në atë kohë kisha jo më shumë se dhjetë dhoma të rregulluara. Investimi i rikonstruksionin të ‘Santës’ ka mbaruar më 2015, pasi u mor kredia e dytë dhe filloi shitja e apartamenteve, më 2013 kam filluar shitjen e apartamente, ku të gjitha transaksionet janë bërë nëpërmjet bankës. Jam ortak i vetëm, nuk kam asnjë nga familja ime, as gruan, as fëmijët, as vëllezërit ortak në kompani, vëllezërit kanë shtëpitë e tyre, familjet e tyre, punët e tyre.
Dje Policia e Shtetit ju hoqi licencat për dy kompanitë e sigurimit që ju keni, si e shikoni këtë vendim?
Është një veprim i nxituar i Policisë së Shtetit, apriori është marrë vendimi, është një vendim që mua më shkatërron si biznes, sepse ju thashë që është ndërtuar që në vitin 1994 kompania ime, e kam filluar me një licencë lokale dhe sot jam hapur në gjithë Shqipërinë bizneset e mia. Që nga 1994 e deri më sot nga eprorët, institucionet eprore të mia, nuk kam marrë asnjë vërejtje pa le më gjobë.
Aktiviteti është zhvilluar noralisht, pse duhet të humbas besimin unë sot? Ligji Antimafia e di shumë mirë kemi shumë politikanë, drejtues dhe ish-drejtues të shtetit, tek të cilët është hedhur baltë dhe pas verifikimeve kanë dalë njerëz të pastë. Kemi dhe njerëz të tjerë, që janë në poste të larta sot, të cilët kanë familjarët e tyre të akuzuar dhe nuk e kanë humbur të drejtën, pse duhet të bëhet ky persekutim. Unë këtë vendim do ta apeloj.
Kalojmë te pjesa e vëllait, sepse është lakuar në mediat ndërkombëtare dhe të vendit se bën pjesë në një grup kriminal. Çfarë mund të na thoni?
Është një akuzë politike. Njerëz të caktuar, individ të caktuar, në bashkëpunim me grekët, të cilët kërkojnë me çdo çmim të shkatërrojnë çdo njeri që gëzon reputacion ose për të zënë një vend pune, kanë ndërtuar një histori të tillë dhe e kanë mbajtur dy vjet në fokus të medias, duke i bërë gjyq, dhe jo vetëm atij, por gjithë fisit, familjes dhe bizneseve tona. Byrazeri im e ka provuar dhe njëherë në 2006, është identike skema e ndërtuar.
Pas verifikimeve të bëra, kur ata që shpifin e flasin sot ishin në pushtet, janë bindur dhe vëllai im ka dalë i pafajshëm. E njëjta skenë po përsëritet dhe sot, byrazeri im është i hapur, ai është i ndërgjegjshëm, i pastër, që nuk ka faj. Pavarësisht që këshillat e mia kanë qenë që të paraqitej dhe më ka thënë: ‘jam i hapur para drejtësisë, drejtësia të bëjë unin e saj, pasi të ketë prova, fakte bindës, do vij të përballem’.
Ka aksione në pjesën e pronave tuaja të sekuestruara Klementi?
Nuk ka asnjë aksion, jo vetëm Klementi që akuzohet, por asnjëri nga vëllezërit e mi.
Kur ka qenë takimi juaj i fundit?
Ka më shumë se tre muaj, që kam folur në telefon dhe jo se jam takuar.
Keni tentuar ta bindni t’i dorëzohet drejtësisë?
Po, i kam thënë dhe shprehimisht më ka thënë ‘drejtësia të bëjë punën e vet, jam i pafajshëm, në momentin që dënohem do vij të ballafaqohem me të vërtetën’. Kemi dy vjet që fenomeni i kanabisit është në media dhe dy vjet flitej me iniciale, pastaj përmendet fotografia e pronarit, Klementit, si mund të vijë ai të paraqitet.
Si e shkoni dosjen greke mbi Klementin, që thotë se ka bashkëpunuar me DEA amerikane kundrejt akuzës për vëllanë tuaj?
Janë shpifje, janë politike nga individë të caktuar, nuk është rasti i parë që në Shqipëri të ndërtohen alibira për njerëz që akuzohen për lloj-lloj gjëra kriminale dhe kur një ditë e vërteta zbardhet askush nuk flet, por të gjithë heshtin.
d.c./shqiptarja.com