I këtij mendimi është Dejan Anastasijeviç, gazetar i së përjavshmes serbe “Vreme” dhe korrespondenti i prestigjozes TIME për Ballkanin. Në një intervistë për Report TV, ai analizon situatën e fundit të krijuar mes Prishtinës e Beogradit si dhe cila pritet të jetë politika e jashtme e presidentit të ri amerikan në Ballkanin Perëndimor.
Dejan, le ta nisim me zhvillimet më të fundit. Në Bruksel pritet të mbahet takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij serb Aleksandër Vuçiç pas incidentit që ndodhi me trenin. Kryeministri juaj ka deklaruar se e ka humbur besimin tek Prishtina dhe se dialogu do të jetë “i vështirë”. Si mendon që do të jenë këto bisedime?
Unë mendoj se pavarësisht tensioneve te fundit lidhur me trenin, arrestimi i Rramush Haradinaj, takimi në Bruksel tregon se dialogu po vazhdon. Por sa i përket besimit, nuk mendoj se në fakt nuk ka besim mes Prishtinës dhe Beogradit, nga të dyja palët. Kështuqë nuk është se gjërat kanë ndryshuar pas incidentit me trenin, sepse kështu ka qënë.
Shumë deklarata dhe reagime të forta pasuan incidentin me trenin dhe natyrisht që raportimet në media janë të ndryshme në Beograd nga ato që janë në Prishtinë. Çfarë ndodhi realisht me atë tren ku shkruhej "Kosova është Serbi në shumë gjuhë" sipas mendimit tënd?
Treni ishte një provokim i Beogradit dhe nuk ka asnjë dyshim lidhur me këtë. Por nga ana tjetër Prishtina iu përgjigj këtij provokimi ashtu siç ata (serbët) donin. Ata reaguan më shumë se ç'duhet dhe dërguan forcat speciale në kufi sikur ky të ishte një pushtim ushtarak. Kjo i dha mundësinë kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç që të launte rrolin e "paqeruajtësit" dhe ia doli me sukses nga këndvështrimi i tij.
Ti po thua, që ishte një provokim ku Prishtina u përgjigj pikërisht siç ata prisnin, cila ishte reagimi që ata prisnin?
Ata donin që Prishtina të kishte një reagim të tepruar dhe ajo e bëri këtë duke dërguar forcat speciale ne kufi, sepse nuk ishte e nevojshme mendoj kjo gjë. Nëse donin të ndalonin trenin që të mos hynte në Kosovë, kjo mund të ishte bërë me policinë kufitare thjesht fare. Por duke dërguar njësitë speciale ishte një reagim i tepruar dhe kryeministri Vuçiç arriti të shfaqet si njeriu që ndaloi fillimin e një konflikti, edhe pse kishte mundësi minimale për një konflikt të vërtetë. Pra ishte një provokim i pastër dhe Prishtina u përgjigj ashtu siç ata prisnin.
Pra ti mendon që nuk kishte shanse që situata të përshkallëzohej dhe të rrezikonte të kthehej në një konflikt. Kujtojmë që presidenti serb akuzoi shqiptarët se duan luftë. Mendon se ndonjëra nga palët e kërkon këtë?
Nuk mendoj realisht që ka mundësi për përshkallëzim të situatës. Mendoj që ishte bllof nga të dyja palët. Veç kësaj, deklarata e Nikoliç nuk është aq e rëndësishme. Të gjithë e dinë se nuk është ai njeriu që vendos. Pra nuk mendoj që ka mundësi reale për një konflikt, por të dyja palët po e përdorin këtë situatë për të tërhequr vëmendjen nga Brukseli dhe Washingtoni, sepse të dyja palët mendojnë që s'po marrin vëmendjen e duhur kohët e fundit, sidomos pas zgjedhjes së Donald Trump.
Mbetemi pikërisht këtu tek zgjedhja e Donald Trump. Ka patur raportime apo spekulime në disa media në Serbi që tani që Trump është presidenti i ri i SHBA-ve, ai do të mbështesë më shumë serbët se sa shqiptarët, qoftë në Shqipëri apo edhe në Kosovë. Dhe kjo është diçka që kryeministri Vuçic dhe presidenti Nikoliç po përpiqen ta shfrytëzojnë sikur ata kanë mbështeësin e tyre në Shtëpinë e Bardhë. Është e vërtetë, si mendon?
Jo. Së pari askush nuk e di se si do të jetë politika e jashtme e Donald Trump në Ballkanin Perëndimor. Veç kësaj, si liderët në Prishtinë ashtu edhe Vuçiç e mbështetën hapur kandidaten tjetër Hillary Clinton gjatë zgjedhjeve. Veç kësaj Trump nuk duket të jetë miku apo mbështetësi i askujt në Europë, ndaj s'besoj se do të mbajë ndonjë krah në Ballkan.
Prioritetet e tij do të jenë marrëdhëniet me Gjermaninë, Francën pra Europën, ndërsa nuk besoj që ai ka kuptuar se diçka ka ndodhur në Ballkan dhe ti kushtojë vëmendje. Dhe një nga arsyet pse ndodhën këto incidente, është pikërisht sepse ata duan të tërheqin vëmendjen, tamam si fëmijët kur i lë pas dore apo i neglizhon, ata fillojnë e bëjnë zhurmë e potere. Dhe pikërisht kjo ndodhi për mendimin tim.
Disa analistë argumentojnë se gjithçka ishte provokim, siç edhe ti vetë e pohove, dhe se Nikoliç dhe Vuçiç po përpiqen të krijojnë tensione kryesisht për përfitime në politikën e brendshme, duke qënë se po afrojnë dhe zgjedhjet presidenciale të prillit. Qëndron kjo?
Po, siç thashë ishte padyshim një provokim dhe të dyja palët i kanë përdorur këto situata dhe çështjen e pazgjidhur që ekziston mes tyre për përfitime politike. Këtë ka bërë Vuçic por e ka bërë edhe Prishtina, sa herë që ndjejnë se janë të kërcënuar nga brenda e kalojnë topin tek njëri tjetri. Pra kjo në një farë mënyrë është një lojë e vjetër.
E kuptoj, por pse mendon që edhe Prishtina e përdori për avantazhin e vet. Sepse treni "provokues" erdhi nga Serbia apo jo?
Po, në këtë rast provokimi erdhi nga Serbia, por ndërkohë Prishtina e teproi. Por ka patur raste që Prishtina ka provokuar dhe Beogradi ka reaguar në mënyrë të tepruar. Kjo është loja që unë mendoj se ndodh prej kohësh.
Dejan, po përsa i përket arrestimit të Rramush Haradinaj çfarë mendon? A ka dorë Serbia së fundmi në ndalimin e tij në Francë, edhe pse urdhër-arresti ështëështë lëshuar nga Beogradi që vitin 2004?
Po në fakt, ky është një urdhër arresti shumë i vjetër. Dhe pyetja është pse Franca e ka marrë kaq seriozisht tani dhe pse nuk e diskutoi që në fillim si çështje politike. Mendimi im është se ndalimi i tij ka të bëjë me Gjykatën Speciale për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që pritet të nisë punë së shpejti dhe mendoj se Haradinaj nuk do të transferohet në Beograd por në Hagë për tu gjykuar nga gjykatës ndërkombëtarë.
Dhe diçka të fundit. Nga bisedat me njerëzit në Serbi kam kuptuar që ata ndryshe nga politikanët janë të vetëdijshëm për realitetin e ri sa i përket Kosovës. Por mendon që Kosova do të përdoret sërish në fushatën elektorale në zgjedhjet presidenciale të prillit? Dhe mendon që do të ketë tentativa të tjera për provokime?
Është pak e vështirë të thuhet nëse do të ketë provokime të tjera, çka natyrisht nuk mund të përjashtohet. Por në proceset e fundit zgjedhore, Kosova nuk ka qënë pjesë e rëndësishme e fushatave elektorale në Serbi, megjithëse është gjithmonë diku aty në sfond. Por mendoj se në këto zgjedhje nuk do të jetë në qender të vëmendjes. Por ju e dini si funksionojnë zgjedhjet. Kështuqë nëse do të duhet ta përdorin Kosovën për të fituar pikë, padyshim që politikanët do ta bëjnë këtë.
*Dejan Anastasijeviç është reporter i vjetër investigativ i revistës “Vreme” dhe korrespondent për Ballkanin i revistës amerikane 'Time'. Dejan ka mbuluar gjithë konfliktin në ish Jugosllavi dhe në 1998-ën raportoi për krimet regjimit të Millosheviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Në prill të 99-ës ai u largua në Vjenë për shkak të kërcënimeve që i bëheshin familjes dhe jetës së tij, për tu rikthyer sërish në Beograd disa vite më vonë. Në tetor të 2002, Dejan u bë gazetari i parë serb që dëshmoi kundër ish presidentit serb Millosheviç.
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)