Për të mos lejuar tjetërsimin e pronës së ushtrisë, në kushtet kur SPAK ka të hapur një hetim mbi procedurat e privatizimit, Report TV mëson ekskluzivisht se Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi Bazën Detare të Limionit në Sarandë. 

Hetimi nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive. Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me  procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë. 

Sipas kallëzim të Artur Meçollarit, plani i qeverisë për të bashkëpunuar me privatin për investime strategjike për zhvillimin e turizmit, përmban një varg shkeljesh ligjore. 

Sipas propozimit të përfaqësuesve të Forcave Detare, në Limion, veç investimit privat për interesa turizmi, shoqëritë e interesuara do të ndërtojnë edhe bazën e re detare me anë të Partneritetit Publik Privat. Por sipas Meçollatit, kjo procedurë, duhet të ndiqej jo vetëm nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ministri i Mbrojtjes, por duhet të miratohej edhe nga presidenti, hallkë që sipas tij është anashkaluar. 

Ai pretendon se është mbajtur sekret projekti final i bazës së re, i hartuar nga Forcat e Armatosura, duke ngritur dyshime se me dijeni të zyrtarëve të lartë,  kanë urdhëruar dhe hartuar për bazën e re një projekt të dytë,  duke bërë avokaturën e shoqërive private”, siç theksohet në kallëzimin e SPAK.

Për këtë çështje ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputet i PS-së, Bardhyl Kollçaku u paraqit të enjten në SPAK dhe u mor në pyetje bashkë me Artur Meçollarin, denoncuesin e tij. Një thirrje nga Prokuroria e Posaçme ka marrë dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka në cilësinë e pozicionit që ka pasur dijeni për ngjarjen dhe pritet që edhe ajo të japë versionin e saj për privatizim e bazës detare të Limionit.

1678531396_defee970304349a59429f6db8743fd28.jpg