TIRANE -  Mosha nuk është asgjë për të . 20 vjec dhe tashmë do të jetë deputetja më e re në historinë e parlamentit shqiptar. Kejdi Mehmetaj që do zëvendesojë ministren e Integrimit Klajda Gjosha pasi kjo e fundit la mandatin për tju fokusuar punës në ekzekutiv. Përkrah kolegëve deputetë, deputetja e re thotë se nuk ka frikë nga sfida e rradhës kur tashmë politika për të është kthyer në pasionin me të madh për të.

"Unë e kam guidën time ose Biblën mbi të cilën do të bazohem. Programi që ne kemi patur për rininë në zgjedhjet elektorale 2013", thotë Kejdi Mehmetaj.

Keidi Mehmetaj në një intervistë ekskluzive për A1 Report, e cila studion në vitin e tretë për inxhinieri ndërtimi, nuk fsheh ëndrrat që ja lejon mosha e saj e re për të ndihmuar tashmë si deputete në ndërtimin e Shqipërisë. Kur bisedon me të kupton se është një vajzë e inteligjente me ëndrrën dhe vullnetin për tu rritur brenda LSI dhe në pozicionin e deputetes.

"E kam akoma atë lëmshin e ndjesive të momentit të parë kur e mora vesh, po ashtu e kam këtë ditë edhe më shumë. Kjo është dhe pak çështje fati, unë  e kam thënë edhe herë të tjera që në vendin tim, dhe dua ta theksoj këtë gjë që në vendin tim mund të ishte kushdo prej anëtarëve të LRI. Situata vjen e tillë në disa raste të caktuara që jemi atje ku duhet dhe kur duhet. Padiskutim ndjej një sasi të madhe përgjegjësie  për ta kryer në mënyrë më të mirë punën që më është caktuar, sepse si partia ime LSI, po ashtu edhe miqtë e mi të LRI, po ashtu edhe votuesit e LSI-së më kanë dhënë një besim shumë të madh të cilin duhet ta përkthej në mënyrën më të mirë", vazhdon ajo.

Studentja për inxhinieri thotë se ishte përgatitur në njëfarë mase për të marrë detyrën e deputetes.

"U bë kohë që vazhdimisht diskutohet për faktin që ministrat do të japin dorëheqjen nga mandati i tyre dhe e kam përgatitur dhe veten me kalimin e kohës që do ta kem këtë detyrë, kështu që nuk është se ishte emocioni i parë i momentit. Domethënë isha përgatitur në një farë mase që do të isha këtu dhe e prita me shumë qetësi. Përgatitja për këtë lloj barre nuk ka për të reshtur kurrë. Jo vetëm për mua, por besoj për çdo person që merret me politikë, çdo ditë përballet me gjëra të reja për të cilat duhet të mësohet dhe tu bëjë ballë dhe të ngrejë shqetësimet e qytetarëve, po ashtu t'i mbrojë ata, të marri vendimet më të duhura në emër të tyre.

Të gjithë kur kemi qenë të vegjël kemi shprehur dëshira, kemi pasur ëndrra kush do të bëhet astronaut, kush do të bëhet kërcimtar, kush tjetër matematicien , dhe besoj që është shembulli më i mirë për të treguar që gjërat arrihen në qoftë se punon me pasion, përgjegjshmëri dhe mbi të gjitha gjen vendin e duhur po të shprehur aftësitë e tua. Pasuria më e madhe që një vend ka janë pikërisht të rinjtë. Në qoftë se politika nuk mendon për ne, atëherë ne duhet të bëhemi pjesë e politikës dhe të mendojmë për veten tonë për të reealizuar një të ardhme më të mirë për ato ndryshime që ne kemi në mendje, kështu që dua ti ftoj të gjithë ata të rinj që për momentin e shohin politikën larg tyre.

Ti hedhin sytë, ti kushtojnë vëmendje sepse është në dorë të tyre çdo ndryshim që ndodh në vendin tonë. Përpara 23 viteve ndryshimin e demokracisë në të cilën ne jetojmë sot e bënë pikërisht të rinjtë dhe jemi ne të rinjtë që kemi sjellë çdo ndryshim në të gjitha historitë, në të gjitha kohët. Pse jo, është prapë momenti jonë për të sjellë gjëra dhe për t'i bërë ndryshe", shprehet për A1 Report deputetja Mehmetaj.

E gjetëm në ambientet e godinës së LSI. Rregullorja e Kuvendit ishte ajo me të cilën po ndante minutat pak para intervistës.Nuk fsheh faktin se ka shumë për të mësuar, por beson ne vetvete se do tja dalë dhe pse e re në moshë .

"Duke qenë se për mua u bë viti i pestë që jam aktive në jetën politike në vend, detyrimisht në këto 5 vite kam filluar ta njoh nga afër mënyrën si funksionon Parlamenti edhe pse nuk kam qenë pjesë e saj, edhe pse ndoshta nuk e kisha menduar ndonjëherë që kaq shpejtë do të isha pjesë e Parlamentit. Jam njohur me procedurat Parlamentare. Padiskutim që ka rregulloren me mënyrë se si funksionojnë ligjet, miratimi i tyre, pra cilat janë detyrat e Parlamentit, sepse puna e dikujt që merret me politikë është në rradhë të parë puna me Parlamentin. Kuptohet që këto kohë më është dashur të lexoj edhe në vazhdim akoma dhe më shumë.

Për momentin po e lexoj dhe rregulloren me më shumë vëmendje seç ndoshta mund ta kisha lexuar më parë. Kam besimin se me të gjithë mbështetjen që marr nga të gjithë miqtë e mi, po flas për ata të LSI, padiskutim që do të bëjmë një punë të mirë. Fokusi im do të jenë të rinjtë, padiskutim çështjet rinore. Kuptohet, jo se nuk do të kem të bëj me çështjet e tjera, por ata janë prioriteti im dhe besoj se do ti përfaqësoj me dinjitet".

Në 2009 ajo u anëtarësua në LRI si aktiviste dhe më pas si nënkryetare e saj. Në 2012 ajo u zgjodh anëtare e LSI, për të ardhur deri tek zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, në vendin e 7 në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës. Ngjitja e saj në postin e deputetes vjen sipas Kodit Zgjedhor pasi nëse një deputete femër duhet të heqë dorë nga mandati i deputetit atëherë vendin e saj e zë automatikisht femra e rradhës në listën e asaj partie. Për këtë karriere të shpejtë , ajo nuk ka një emër të vecante që e ka mbështetur më fort brenda LSI. Ajo thotë se të gjithë jemi si një familje.

"Ne këtu tek LSI në fakt jemi si një familje e madhe. Nuk është se takohemi vetëm në raste mbledhjesh apo kur ka gjëra të caktuara për t'u anunçuar. Jemi gjithë kohës në kontakt me njëri-tjetrin. Z.Meta më ka uruar ditën që u bë ndërrimi i mandatit. Po ashtu, të gjithë pjesa tjetër", përfundoi Kejdi Mehmetaj.

Kejdi e mbyll intervistën me shpresën se do tja arrijë të jetë e zonja përballë deputeteve të tjerë. E ndërsa lë selinë LSI, një rrugë tjetër plot surpriza e pret ...e për këtë ajo thotë se është gati.

Redaksia online
(v.gj/shqiptarja.com)