Një shtëpi bari, zbuluar të dielën e 2 nëntorit në Malësinë e Madhe në Shkodër, është një nga operacionet e fundit të policisë përgjatë vitit 2025 në betejën e gjatë kundër kultivimit të kanabis sativa.
Shtëpitë e barit, me përhapje gjithnjë e më të madhe, vitet e fundit, ku kanabisi kultivohet nën dritat e neoneve, janë sfida më e madhe e policisë për t’i gjurmuar. Brenda saj u gjetën të paktën 1110 bimë kanabisi, që po rriteshin mes llambash.
Përgjatë këtij viti, shifrat zyrtare të siguruara nga Report TV deri në ditët e para të Nëntorit, dëshmojnë sërish një përhapje të gjerë të fenomenit, ndonëse më i reduktuar. Në total, në 12 qarqe, Policia e Shtetit, ndihmuar sërish nga Guardia di Finanza italiane, gjeti dhe asgjësoi 213,856 bimë dhe fidanë kanabis. Krahasuar me vitin 2024, shifrat janë më të ulëta, me 137,705 rrënjë e fidanë më pak.
Prej disa vitesh qarku i Shkodrës konfirmohet në krye të listës, me mbi 87% të rasteve të zbuluar në këtë territor, dhe një total prej 186,460 bimësh dhe fidanësh të asgjësuar. I dyti në radhë është Fieri me 9,305 rrënjë kanabis, ndjekur nga Lezha, Tirana, Durrësi, Dibra dhe Vlora. I fundit në renditje, me numër shumë të ulët rrënjësh kanabisi të asgjësuara është qarku i Korçës, me vetëm 4 bimë kanabis të zbuluara.
Të paktën 182 persona u identifikuan si të përfshirë direkt në kultivimin e bimëve narkotike. Shumica e tyre, 141 persona, u arrestuan. Të tjerët, një pjesë janë në hetim e disa të shpallur në kërkim.
Krahasuar më vitin e shkuar ka më pak persona të implikuar, por më shumë që kanë përfunduar në pranga.
Gjatë operacionit të pak ditëve më parë në Malësinë e Madhe, përveç dy personave të dyshuar si autorë, në pranga përfunduan edhe 4 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre.
Në total gjatë këtij viti, për të njëjtën akuzë apo dhe moskallëzim krimi, janë hetuar 160 zyrtarë, kryetar njësie administrative, kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së, inspektorë mjedisi dhe pyjesh. Prej tyre vetëm dy u arrestuan. Një vit më parë, nën hetim përfunduan 103 zyrtarë.
Komente








Ne Korce i ka Niko prandaj nuk i shikon policia
PërgjigjuZbuluar pak kanabis nuk do te thote qe nuk eshte kultivuar ne ato zona, por qe nuk jane bere kontrollet e duhura.
PërgjigjuSka mete gja tjeter se uzina e fabrika i vjellen. Tash hapin burgje
PërgjigjuTe arrestohet i gjithe zinxhiri drejtues i policise Shkoder.
Përgjigju