Më 23-24 prill, u zhvillua në Tiranë edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Prishtinës, takimi i përvitshëm kinematografik, këtë herë i tkurrur në vetëm dy ditë e tetë tituj, dhe i mërguar në Tiranë për shkak të uljes me 78% të financimit shtetëror. Një shkurtim drastik që kthen edhe një herë hijen e pamundësisë së bashkëpunimit mes qeverisjes vendore  dhe asaj qendrore, kur këto i përkasin rreshtoreve të ndryshme politike. Duke parë shkurtimet që kanë përfshirë edhe shumë aktivitete të tjera të Prishtinës, synimi i ministrisë për të decentralizuar kulturën është lexuar prej shumë personave edhe si një lloj shpagimi i qeverisë për humbjen e administrimit të kryeqytetit.

PriFest-i, pra, nuk u përkrah këtë vit nga Ministria e Kulturës së Kosovës, por gjeti në këtë rast mbështetje logjistike dhe shpirtërore në Shqipërinë mëmë. Jashtë vazhdës së “Hapësirës sonë të përbashkët” që propozojnë dy ministritë e kulturës apo motos “Një Tokë, një Popull, një Ëndërr” që vulosën dy qeveritë në mbledhjen e përbashkët të muajit mars, por gjithsesi nën hijen e “flamurit me të bukur n'botë" që do të ndjekë kombëtaren e do të përndjekë tifozët e futbollit e jo të cohës kuqezi, mes dy vendeve u shënua këto ditë një tjetër bashkëpunim kulturor, në dukje krejtësisht spontan. 

Kështu, edhe atje ku nuk mbërritën institucionet me parrullat dhe protokollet e bashkëpunimit, larg retorikës ‘rilindase’ të bashkimit të shqiptarëve nën të njëjtin qiell evropian, ndërhynë mekanizma tashmë të vetëvetishme të qarqeve kulturore të të dy vendeve. Ashtu si Kryeministri, në fjalët e Lubonjës, kërkon të marrë “rolin e babait të kosovarëve” për t’i mbrojtur ata nga padrejtësitë - e serbëve e të ndërkombëtarëve bashkë - edhe skena kulturore shqiptare doli sakaq në krah të kinematografisë së përtejkufirit, për ta mbrojtur nga padrejtësitë e bilanceve të institucioneve kulturore.

Problem në të vërtetë i njohur mirë edhe për palën shqiptare, ndër vite në “luftë” me insitucionet qendrore për financimet e pakta për kulturën në përgjithësi, e për kinematografinë në veçanti. Kur në Tiranë në vitin 2014 Ministria e Kulturës mbështeti Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me 1.300.000 lekë, “protesta” e këtushme u artikulua vetëm nëpërmjet punës vullnetare, si të të rinjve ashtu edhe të profesionistëve dhe, mbi të gjitha, nëpërmjet cilësisë detyrimisht të dobët te aktivitetit. Në të kundërt, në rastin e PriFest-it, refuzimi për të organizuar festivalin me shkurtim të financimeve, protesta dhe shpërngulja (më shumë se mërgimi) në Tiranën mike mund të shihet padyshim si një zhvillim pozitiv që jep një mesazh të qartë për autoritet kosovare. Standardi i vendosur ndër vite, i çfarëdo niveli qoftë, nuk preket.

Përtej përfytytimit të dinamikave kulturore në kontekst gjeopolitik, Festivali i Prishtinës, në këtë edicion detyrimisht pa konkurrim e pa fitues, solli në Tiranë, përveç videos dhjetë minutëshe prezantuese – më shumë të vetëkënaqësisë prej tapeti të kuq të pjesëmarrësve sesa të festivalit në vetvete – të paktën dy filma te rëndësishëm: Tri dritare dhe një varje (Isa Qosja, Kosovë, 2014) si projeksion special dhe Küf  (Ali Aydin, Turqi, 2012) për programin Fokus Turqia.

Pas Kukumit (2005), Qosja i rikthehet Kosovës së pasluftës dhe historive të dhunimit të grave gjatë konfliktit. Lushja (Irena Cahani), grua e re dhe guximshme, mësuese në një fshat të vogël që mbahet me lopët e dhuruara nga zviceranët dhe me fjalimet e të bëmat kryetarit Ukë (Luan Jaha), tregon për shtypin kombëtar dhunën seksuale të pësuar gjatë luftës, bashkë me tri gra të tjera të fshatit. Rrëfimi hap plagë të vjetra e të pashëruara dhe shfaq haptazi paaftësinë e përballjes me të shkuarën e të përpunimit të dhimbjes.

Shpejt droja dhe turpi për çnderimin e bashkëshorteve të tyre përhapet ndër burrat e fshatit, të cilët  çallëstisin për të diktuar nëse janë dhunuar vërtet edhe tri gra të tjera dhe cilat mund të jenë ato. Kështu, gratë dhunohen së dyti, këtë herë nga sundimi i pakundërshtuar i burrave të marrakotur nga krenaria e tyre primitive. Nxënësit njëri pas tjetrit fillojnë të mos duken më në klasën e Lushes. E ndërsa njëra nga gratë e bërtet me zë të lartë e pa frikë “turpin” e saj përpara të shoqit, një tjetër arrin ta “rrëfejë” vetëm duke varur veten.    

Për këtë film, Qosja i merr borxh turkut Nuri Bilge Ceylan drejtorin e fotografisë, Gökhan Tiryaki, këtu më i përkorë dhe si gjithmonë i hatashëm, dhe dorëzon një regji që mbetet e matur dhe elegante, përpos ndonjë virtuozizmi tavoline ndoshta të panevojshëm. Të gjithë aktorët – dhe Luan Jaha në veçanti – arrijnë të thonë më shumë se personazhet e tyre, shpesh të shtrënguar në suaza të parashikueshme, të humbur në yçkëlat e një skenari që nuk i bën drejtësi qëllimit denoncues të filmit.

Skenar i rënduar, për shembull, nga metafora e rëndomtë e pleqve matufë në hapje e mbyllje të filmit për të treguar vështirësinë e bashkëjetesës së zakoneve të vjetra në botën e tanishme; nga dallimi mes mësueses që në pritjen shpresëprerë për bashkëshortin e zhdukur, është e vetmja që punon jashtë shtëpisë dhe grave të tjera që ekzistojnë vetëm brenda mureve ku i kanë mbyllur burrat e tyre;  nga komiciteti i pavend që mundohen të sjellin dy të rinjtë e dashuruar e të përndjekur nga autoriteti i traditës;  nga mbjellja e pemës së ftoit si metaforë e vendimit për të qëndruar e hedhur rrënjë në vend.

Përpjekja për të rrëmbyer buzëqeshje e njëkohësisht për të tërhequr lot, fatkeqësisht, ia lëmek filmit fuqinë denoncuese ndaj kulturës së padepëtueshme kosovare (po aq sa edhe ballkanase). Ndërsa prirja e përgjithshme për t’i shkelur syrin festivaleve ndërkombëtare - për më tepër pa kurrëfarë rezultati – tradhton edhe një herë provincializmin e pjesës më të madhe të prodhimeve panshqiptare.

Më tej, në mbrëmjen e dytë të festivali, kushtuar valës së re të kinemasë turke, që në këto vitet e fundit po mahnit festivalet më të mira ndërkombëtare - nga i sipërpërmenduri Nuri Bilge Ceylan te i mahnitshmi Semih Kaplanoglu - u shfaq filmi Küf  (Myk), vepër e parë e regjisorit Ali Aydin. Si temë një tjetër dramë sociale: të rinjtë opozitarë, më së shumti kurdë, të  “humbur” gjatë viteve ’90 për shkak të përlasjeve me qeverinë.

Vetëm një personazh në qendër të filmit, një burrë i moshuar, rojë në stacion e trenit, i vetmuar dhe epileptik. I biri, student në Stamboll, është arrestuar për arsye politike 18 vjet më parë. Që atëherë, me rregullësi mekanike, Basriu u shkruan çdo muaj autoriteteve turke për të  marrë një çfarëdo përgjigje mbi fatin e të birit. I shtrënguar të flasë vetëm nën pyetësorët tashmë rutinë të policisë apo interesimit shpotitës të kolegëve, Basriu vazhdon i padorëzuar përballë vështirësive që i nxjerr heshtja e autoriteteve, i përgjunjur vetëm nga ndjenja e fajit për vdekjen natyrore të vëllezërve të mitur, aksidentale të kolegut, të qëllimshme të të birit.

Drama e jetëve të ndërprera, nga dhuna në rastin e djalit apo nga dhimbja në rastin e babait,  shfaqet çdo ditë në lëvizjet e ngadalta të Basriut, përsëritet në angështinë e imazheve qëllimisht boshe e pa veprim të Aydin-it, fliron nga çdo ambient i mykur nga paaftësia – me sa duket ballkanase - për të pranuar dobësinë, e pastaj dhimbjen.
Të dy filmat, në përshkrimin e pasojave të dy tragjedive sociale, sjellin burra të fortë e të rrefkët, të palëkundur në heshtjen e problemeve, të paaftë për çfarëdo kontakti - veç grushteve - me njëri-tjetrin; të pamundur për të rrëfyer, pa turp, brishtësitë e tyre: nga  dhuna ndaj grave kosovare te epilepsia e babait anadollak.  Por me dallimin se regjisori turk, me një film sa të thjeshtë e të skrimtë po aq edhe të thellë dhe të fuqishëm, arrin të depërtojë në psikologjinë e personazheve pa patetizëm, të denoncojë përmes heshtjes, të mahnitë përmes ngadalësisë.

“Sot koha ngarend me nxitim por në Anadolli, në Turqinë e thellë, ritmet e jetës janë të ndryshme: jam munduar të sjell në filmin tim këtë ngadalësi, për t’i dhënë mundësi shikuesit të hyjë të mendimet e protagonistit”, thotë Aydin-i për filmin e tij, duke rilexuar në plan kinematografik elozhin kunderian të ngadalësisë si intensitet i kujtesës, si rëndesë e së shkuarës që shënjon të sotmen.  Një ftesë edhe për kinematografinë shqiptare e kosovare për të mbajtur një hap të ngadaltë e të matur; për të analizuar historinë e afërt duke ndjekur “hapin e ngadaltë e të lodhur të punëtorit që kthehet në shtëpinë e tij” që sugjeronin Alicata dhe De Santis në agim të neorealizmit. Për një përtypje më të ngadaltë, për të qenë efikase, në veçanti të disa temave fort të rrahura nga kinematografitë e dy vendeve: lufta në rastin e Kosovës; regjimi diktatorial dhe përzierja emigracion/kriminalitet/kanun në rastin e Shqipërisë. Tema kinematografikisht të abuzuara e të inflacionuara ndër vite.  

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)