Ekspertët e BE dhe SHBA kundërshtojnë ‘paketën’ e ndryshimeve në drejtësi

Ekspertët e BE dhe SHBA kundërshtojnë ‘paketën’ e ndryshimeve në drejtësi

Artur Metani, Olsian Çela dhe Arben Kraja

Në shtator 2022, Komisioni i Ligjeve ngriti një grup pune për rishikimin e paketës së reformës në drejtësi – thuajse gjashtë vjet pas miratimit të tensionuar të saj me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë. Rishikimi i reformës u motivua me ‘kërkesat e vazhdueshme për ndryshime ligjore' të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.

Gjatë nëntë muajve u zhvilluan disa konsultime të mbyllura mes drejtuesve të drejtësisë dhe një grupi bipartizan prej 5 deputetësh, që punuan për hartimin e draftit.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pikat kryesore të ndryshimeve ligjore nuk janë mbështetur nga ekspertët e EU-JUST dhe OPDAT – dy misionet për ndihmë ligjore të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BIRN siguroi një kopje të draftit të propozimeve për ndryshime ligjore, së bashku me opinionet e ekspertëve të EU-JUST dhe OPDAT. Dokumenti parashikon ndryshime në katër ligjet kyçe të reformës në drejtësi; ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ai për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë si dhe ai për institucionet e posaçme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Propozimet e grupit të punës prekin kryesisht kohëzgjatjen e Shkollës së Magjistraturës dhe verifikimin e pedagogëve të saj, i japin disa kompetenca shtesë Prokurorit të Përgjithshëm në përzgjedhjen e drejtuesve të prokurorive si dhe vlerësimin e tyre, parashikojnë heqje të kuotave për rekrutimin e jo-magjistratëve në ILD si dhe heqin disa kufizime për transferimet e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, gjatë dhe pas mandatit të tyre.

Të hënën në Kuvend, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i parapriu kritikave të ekspertëve të huaj në lidhje me ndryshimet e pritshme në legjislacionin e sistemit të drejtësisë.

“Çdo ndërhyrje që do të bëhet për efekasitetin e sistemit do të duhet të marrë dakordësinë e Bashkimit Europian dhe SHBA-ve,” tha Balla, duke shtuar se do të ketë edhe një takim me partnerët për këtë çështje.

Jo reduktimit të Shkollës së Magjistraturës

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, të mbështetur edhe nga Shkolla e Magjistraturës kanë propozuar reduktimin e periudhës së formimit të magjistratëve nga tre në dy vite, si një zgjidhje për vakancat e krijuara në sistem si pasojë e vetingut si dhe për një gjykim më të shpejtë të çështjeve të mbartura.

Drafti parashikon gjithashtu heqjen e një vlerësimi të dytë të pasurisë dhe figurës për studentët e Magjistraturës si dhe ndryshime të pjesshme të kritereve të emërimit të drejtorit dhe pedagogëve të brendshëm të Shkollës së Magjistraturës.

Por partnerët e EU-JUST dhe OPDAT vlerësojnë se reduktimi i Shkollës së Magjistraturës me një vit nuk është një vendim i maturuar dhe se kjo pikë duhet rishikuar në funksion të ruajtjes së cilësisë së trajnimit. Ekspertët e huaj kujtojnë gjithashtu se një nga arsyet e parashikimit të vitit të tretë të trajnimit ishte cilësia e ulët profesionale e magjistratëve.

“Cilësia e sistemit të drejtësisë është një nga kriteret përkundrejt të cilave do të matet progresi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në EU,“ citohet opinioni i ekspertëve të EU-JUST dhe OPDAT.

Gjithashtu, ekspertët e huaj vlerësojnë se “vetingu' i prurjeve të reja në sistem është thelbësor për reformën dhe u sugjeron Këshillave që të jenë të përgjegjshëm dhe seriozë me këtë mjet të rëndësishëm të ruajtjes së standardeve të larta të integritetit dhe etikës.

Lidhur me pedagogët e Shkollës së Magjistraturës, ekspertët e EU-JUST dhe OPDAT sugjerojnë shtimin e një dispozite që parashikon se pedagogu nuk duhet të ketë masë disiplinore në fuqi si dhe një dispozite të dytë tranzitore që u ndalon personave të shkarkuar apo të dorëhequr nga vetingu që të jenë pedagogë në Shkollën e Magjistraturës.

Gjithashtu, ekspertët e huaj e kanë gjetur të papajtueshëm faktin që pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës mund të ushtrojnë edhe profesionin e avokatit.

“Nuk është e qartë pse është e lejueshme për të ushtruar avokatinë në gjykatat më të larta ose në arbitrazh apo si ndërmjetësues, ndërkohë që nuk lejohen aksionet në kompani. Nëse qëllimi është që të sigurohet se pedagogët e brendshëm fokusohen te puna e tyre pedagogjike, ndalimi për të ushtruar avokatinë duhet të shtrihet në të gjitha nivelet, ndërsa mbajtja e aksioneve mund të jetë më pak problematike,“ vlerësojnë ekspertët e huaj.

Kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm

Drafti i ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” parashikon që t'i rikthejë Prokurorit të Përgjithshëm disa prej kompetencave që ai i humbi me reformën në drejtësi, të tilla si e drejta e një opinioni në zgjedhjen e drejtuesve të prokurorive të rretheve si dhe në vlerësimin e punës së tyre.

Megjithatë, ekspertët e EU-Just dhe OPDAT rekomandojnë të rivlerësohet formulimi, pasi sipas tyre, “pesha dhe natyra” e opinionit është e paqartë.

“Ne sugjerojmë të vlerësohet përfshirja e parashikimeve që kërkojnë një informacioni faktik në vend të një opinioni,” thonë ekspertët mbi rolin e kreut të Prokurorisë.

Propozimi është pranuar nga grupit i punës, i cili parashikon të ndryshojë draftin duke i dhënë të drejtën Prokurorit të Përgjithshëm që të japë informacion faktik dhe jo opinion, vetëm në rastin kur drejtuesit e zyrës së prokurorisë aplikojnë për një mandat të dytë.

“Ky rol lidhet edhe me përfshirjen e detyrimit të drejtuesit për të raportuar tek Prokurori i Përgjithshëm çdo 3 muaj dhe kontaktit të vazhdueshëm që ata do të kenë,” thuhet në përgjigjen e grupit të punës në tabelën përmbledhëse mbi këto ndryshime.

Ndërkohë Kuvendi dhe ekspertët ndërkombëtarë ndajnë mendime të kundërta për kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm në administrimin e prokurorive të rretheve dhe e lexojnë në mënyra të ndryshme Kushtetutën.

Ekspertët shprehen se Prokurori i Përgjithshëm ka kompetencën të menaxhojë administratën e prokurorive, duke përfshirë emërimin, ngritjen në detyrë, vlerësimin, procedurën disiplinore për të gjithë nëpunësit civil të zyrave të prokurorive, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm.

Por, ndërkohë sipas deputetëve, këto kompetenca i ka marrë Këshilli i Lartë i Prokurorisë me ligj dhe spostimi i tyre tek Prokurori i Përgjithshëm, “nuk është tërësisht në përputhje me Kushtetutën”.

Njësi ligjore në SPAK

Ndryshimet në ligjin 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar“ synojnë të krijojnë një njësi të shërbimit ligjor për analizimin dhe stufimin e ankimeve të çështjeve penale pranë SPAK.

Sipas draftit, kjo njësi parashikohet të përbëhet nga magjistratë dhe jo-magjistratë që kanë përfunduar me sukses formimin pranë Shkollës së Magjistraturës.

Ekspertët e EU-JUST dhe OPDAT e kanë mikpritur krijimin e njësisë së shërbimit ligjor pranë SPAK, si një praktikë të përhapur edhe në vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë, ata kundërshtojnë përfshirjen e jo-magjistratëve në këtë njësi.

“Këshilltarët/ ndihmësat ligjorë jo magjistratë përbëjnë një rrezik të lartë për pavarësinë gjyqësore dhe integritetin dhe duhet të përjashtohen nga objekti i këtij parashikimi,“ shkruhet në dokument.

I njëjti problem është ngritur edhe për ndryshimet që prekin Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ku drafti parashikon një heqje të kuotave dhe kufizimeve për të rekrutuar jo-magjistratë si inspektorë, në kushtet kur magjistratët nuk shfaqin interes.

Ekspertët e huaj “nuk e rekomandojnë“ hapjen e mundësisë për të rekrutuar më shumë jo-magjistratë dhe sugjerojnë incentiva të tjera, si për shembull ato financiare, për të plotësuar vendet vakante – të cilat nuk vlerësohen si opsion i përshtatshëm nga grupi i punës.

Sa i përket njësisë ligjore pranë SPAK-ut, grupi i punës vlerëson se kjo dispozitë është e ngjashme me ligjet e tjera dhe në institucione si Gjykata e Lartë, ajo e Apelit apo Prokuroria e Përgjithshme, përbërja është me magjistratë dhe laikë.

“Propozimi i Partnerëve që njësia të ketë vetëm përbërje me ndihmësmagjistrat mbart dhe rrezikun që mos plotësohet, nisur nga vakancat që ka sistemi,“ citohet grupi i punës në dokument./BIRN

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion