Ekspertët: Grupi Wagner mund ta përkeqësojë konfliktin në Sudan 

Ekspertët: Grupi Wagner mund ta përkeqësojë konfliktin në Sudan 

Makina e djegur nga lufta në Sudan

Disa njoftime të reja të publikuara këtë javë, tregojnë se grupi Wagner mund të jetë duke furnizuar me armë njërën nga palët e përfshira në konfliktin e Sudanit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Salem Solomon, ekspertët paralajmërojnë se përfshirja e grupit mercenar rus të mbështetur nga Kremlini mund të sjellë më shumë mizori për civilët.

Sipas njoftimeve të reja, mercenarët e mbështetur nga Kremlini të grupit Wagner, mund të jenë duke ndihmuar me armë njërin nga dy gjeneralët rivalë sudanez. Ndërsa dhuna në vend përshkallëzohet, zyrtarë të lartë amerikanë shprehen të shqetësuar se përfshirja e grupit mund ta përkeqësojë situatën.

“Ne nuk duam të shohim zgjerimin e këtij konflikti dhe sigurisht që nuk dëshirojmë të shohim përfshirjen e fuqive shtesë të zjarrit; gjë që thjesht zgjat dhunën dhe përshkallëzimin e tensioneve”, thotë për Zërin e Amerikës John Kirby, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Sudan, dy gjeneralë po luftojnë për pushtet: Gjenerali Abdel Fattah Burhan, udhëheqësi i Forcave të Armatosura dhe Gjenerali Mohammed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, kreu i grupit paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Gjeneral Hemedti ishte në Rusi vitin e kaluar, ku kërkoi mbështetjen e grupit Wagner.

“Hemedti dhe Forcat e tij të Mbështetjes së Shpejtë kontrollojnë kryesisht rajonet e minierave të arit në Sudan dhe ka shumë mundësi që janë bashkëpunëtorë të kontrabandës së arit për vite me radhë. Grupi Wagner mban anën e atyre që ndihmojnë këto interesa, në veçanti kundër çdo qeverie civile”, thotë Jacqueline Burns nga organizata “RAND Corporation”.

Aktivitetet e grupit Wagner në Sudan datojnë nga qeveria e mëparshme e Omar al-Bashirit. Udhëheqësi i grupit mercenar, Yevgeny Prigozhin, kishte marrëdhënie të ngushta me ish-udhëheqësin autokratik.

Pasi al-Bashir u largua nga pushteti për shkak të një kryengritjeje popullore, grupi Wagner vazhdoi marrëdhëniet e ngushta me ushtrinë sudaneze, veçanërisht me forcat paraushtarake të kryesuara nga Hemedti. Kjo është një praktikë e njohur thonë analistët.

“Grupi Wagner duket se angazhohet me vendet afrikane sipas një modeli të parashikueshëm. Normalisht fillon me grupet elitare, ose të paktën një nëngrup elitash dhe kjo pasohet nga një marrëveshje teknike ushtarake dhe formale mes shteteve. Pra, Rusia do të furnizojë me armë në këmbin të koncesioneve që e lejojnë atë të shfrytëzojë minierat dhe sigurojë burime të tjera”, thotë Ben Dalton nga organizata “Amerika e Re".

Nga fillimi i luftimeve në prill, ka pasur njoftime të pakonfirmuara se merceneraët e grupit Wagner po mbështesin Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, duke i furnizuar me armë dhe mjete të blinduara.

Rusia e sheh Sudanin si një vend strategjik me pasuri të mëdha mineralesh. Moska është e etur të ndihmojë në vendosjen e një udhëheqësi miqësor me të, thonë analistët.

“Kemi parë gjatë muajve të fundit përpjekjet e Rusisë për të fituar një port në Detin e Kuq në Sudan, përmes marrëdhënieve zyrtare ushtarake. Ata kanë nënshkruar edhe marrëdhënie të tjera zyrtare ushtarake me vendet e rajonit”, thotë Cameron Hudson nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Përfshirja e grupit Wagner në pjesë të tjera të kontinentit, si Libia, Republika e Afrikës Qendrore dhe Mali, ka qenë në shumë raste problematike, thotë analist Ben Dalton.

“Kudo që shkojnë, sheh vdekje civilësh dhe mizori të ndryshme. Dihet se interesat e Rusisë janë shfrytëzimi i burimeve të kontinenteve, në mënyrë që ajo të forcojë pozicionin e saj dhe t’u rezistojë sanksioneve ndërkombëtare. Ata nuk duan t’ia dinë për interesat e afrikanëve”, thotë ai.

Ndërsa konflikti vazhdon, civilët janë ata që paguajnë çmimin./ VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë