TIRANE, 29 Janar /ATSH/- Për ekspertët e ekonomisë rritja e importeve reflekton më së shumti tendencat e përmirësimit të konsumit e të investimeve në vend.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore mbi treguesit e ekonomisë shqiptare, publikuar së fundit, për tremujorin e fundit të vitit, ajo çka shihet më pozitive është shtimi i mallrave që vijnë nga jashtë, kjo sepse tregon një kah rritës të konsumit.
Për ekspertët ajo që ka më tepër rëndësi për të nxitur ekonominë, nuk është vetëm rritja në sasi e eksporteve, por duhet që të orinetohemi te sektorët që kanë peshë në ekonomi dhe që gjenerojnë vende të reja pune. Kështu sektorët që kanë patur kontributin më të madh në ekonomi, teknologji, makineri, materiale ndërtimi dhe metale kanë vijuar të shënojnë rritje të treguesve të importit.
Nga ana tjetër raporti i BSH-së, vëren se, kërkesa e huaj ka rezultuar e dobët dhe shkëmbimet e mallrave e shërbimeve me partnerët tanë tregtarë kanë dhënë një kontribut neto negativ prej 3.8 pikësh përqindjeje në rritjen ekonomike të tremujorit të tretë. Deficiti i eksporteve reale neto u zgjerua me 18% në tremujorin e tretë të vitit.
Kjo ecuri reflekton rritjen e ngadaltë të eksporteve shqiptare, përballë një ritmi më të shpejtë të rritjes së importeve.
Në aspektin makroekonomik, rritja e ngadaltë e eksporteve pasqyron kërkesën e dobët të partnerëve tanë tregtarë, por edhe goditje të ofertës në disa sektorë të caktuar të prodhimitm bëjnë të ditur ekpertët. e,xh/f.n/







