Makina e një punonjësi policie ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në qytetin e Kavajës. Report Tv mëson se shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur në garazhin e pallatit ku polici Lulzim Muça ishte transferuar me banim vetëm së fundmi.
Ndërkohë që mjeti ishte edhe me impiant gazi, ndaj po punohet për sqarimin e rrethanave, nëse ka të bëjë me shpërthimin e një sasie eksplozivi apo jo. Mësohet se polici ka qenë në shërbimin e policisë rrugore prej 4 vitesh. Shpërthimi është dëgjuar në të gjithë qytetin. Nga pamjet e siguruara nga Report Tv duket që makina është djegur tërësisht.
"Më datë 07.06.2022, në orën 22:50, në Kavajë, në parkingun e një pallati, automjeti tip "Opel" në pronësi të shtetasit L. M., (punonjës Policie) ka shpërthyer. Paraprakisht dyshohet se ka shpërthyer nga lëndë plasëse. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve", ka njoftuar policia.