TIRANE, 21 Qershor /ATSH/ Të dhënat zyrtare të tremujorit të parë të këtij viti, tregojnë se eksporti i prodhimeve të freskëta bujqësore u rrit në masën 53% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ministri i Bujqësisë Edmon Panariti, në një prononcim për mediat u shpreh optimist për shifrat dhe rezultatet e sektorit bujqësor, ndërsa evidentoi se, "ne konkurojme me cilësi dhe standarde, dhe nuk konkurojmë dot me sasi, me  vende si Spanja, Italia  për shkak të madhësisë dhe teknologjisë së tyre , apo Turqia, qe  kanë sasi të mëdha produkti.
"Ne konkurojmë me cilësi, me cilësinë e produkteve tona dhe kjo përbën një element avantazhi që ne kemi në tregjet rajonale. Ajo që spikat për prodhimin shqiptar është që prodhimi shqiptar mesatarisht del në treg, përjashto këtë vit i cili ka pasur pak probleme, ka pasur rredhje në periudhën e pranverës, por tipikisht prodhimi shqiptar del një muaj përpara në tregjet rajonale për shkak të klimës"-tha Panariti.
Ai cilesoi se , kjo krijon një avantazh jashtëzakonisht të madh, prandaj eksportet tona tipikisht fillojnë në fund të marsit në fillim të prillit. Ne eksportojmë domate, kastraveca, speca, të gjitha llojet e sallatave dhe ky eksport është në ritje.
"Prodhimi i perimeve, i frutave në Shqipëri po merr një hov dhe kjo në një farë mënyre e lidhur edhe me pikat e grumbullimit, të cilat po funksionojnë janë investime kryesisht private por natyrisht edhe shteti do të hyjë me fondet e tij. Pikat e grumbullimit bëjnë të mundur që ky produkt të tërhiqet nga serat, nga fermat dhe natyrisht pastaj të lidhen kontratat dhe të kaloj në eksport apo në tregjet rajonale"-tha ministri Panariti.e,xh/f.n/